Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka mirëpritur miratimin nga Kuvendi të ndryshimeve në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, duke e cilësuar këtë një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes së Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA). Sipas BQK-së, miratimi i ndryshimeve ligjore përmbush një nga kushtet kryesore për avancimin e procesit, të cilin institucioni e ka nisur me paraaplikimin në vitin 2024.
Pas hyrjes në fuqi të ligjit, BQK-ja do të nxjerrë rregulloret përkatëse dhe do të përfundojë përditësimin teknik të aplikimit, duke reflektuar edhe ndryshimet e bëra ndërkohë në legjislacionin evropian. Ky proces do të zhvillohet në koordinim me institucionet përkatëse të Bashkimit Evropian. Pas përfundimit të këtyre hapave, aplikimi do t’u dorëzohet institucioneve kompetente evropiane për shqyrtim, në përputhje me procedurat dhe afatet përkatëse.
Ndërkohë, BQK-ja, në bashkëpunim me sektorin bankar, po vijon përgatitjet për zbatimin e skemave të pagesave SEPA, me synimin për të përmbushur kërkesat e nevojshme dhe për të avancuar procesin sa më shpejt. Përfshirja e Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro pritet të sjellë përfitime për qytetarët, bizneset dhe diasporën, duke mundësuar transferta ndërkufitare në euro më të shpejta, më të thjeshta dhe me kosto më të ulët.
Sipas vlerësimeve të BQK-së, këto ndryshime mund të gjenerojnë kursime prej më shumë se 55 milionë eurosh në vit. Anëtarësimi në SEPA do të lehtësonte veçanërisht transfertat financiare nga diaspora drejt Kosovës, si dhe pagesat e bizneseve me partnerët në vendet pjesëmarrëse në këtë skemë. BQK-ja ka riafirmuar angazhimin për përmbylljen e hapave të nevojshëm, në koordinim me institucionet evropiane, për të çuar përpara procesin e përfshirjes së Kosovës në SEPA.







