Bizneset e vogla që kanë pësuar dëme materiale gjatë protestave në Tiranë mund të regjistrojnë humbjet e tyre përmes platformës e-Albania, në shërbimin e dedikuar “Dëmi im”. Ministrja Delina Ibrahimaj, përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë publike hapat sesi mund të aplikosh për të regjistruar dëmet e bizneseve.
Për evidentimin, verifikimin dhe mbështetjen e bizneseve të prekura, subjektet duhet të identifikohen në portal dhe të plotësojnë të dhënat e kërkuara, përfshirë informacionin personal, NIPT-in, kontaktet, të dhënat për ambientin e biznesit dhe informacionin mbi sigurimin, nëse disponohet.
Gjatë aplikimit, bizneset duhet të deklarojnë vlerën e përllogaritur të dëmeve materiale dhe të ngarkojnë dokumentacionin mbështetës, si fotografi, video, fatura apo dokumente të tjera që provojnë dëmet e shkaktuara.
Si të aplikoni në e-Albania?
Për të regjistruar dëmet, bizneset duhet të ndjekin këta hapa:
- Të hyjnë në portalin zyrtar www.e-albania.al dhe të identifikohen në llogarinë e tyre.
- Të kërkojnë shërbimin “Dëmi im”.
- Të plotësojnë të dhënat personale dhe të biznesit, përfshirë NIPT-in dhe informacionin për sigurimin, nëse ka.
- Të deklarojnë vlerën e përllogaritur të dëmeve materiale.
- Të ngarkojnë fotografi, video, fatura dhe dokumente të tjera mbështetëse.
- Të ndjekin udhëzimet e portalit për të përfunduar dhe dorëzuar aplikimin.
Regjistrimi në platformë përbën hapin e parë për evidentimin e dëmeve, ndërsa mbështetja konkrete do të përcaktohet pas verifikimit të tyre nga strukturat përkatëse.
10 grupe të Tatimeve do të verifikojnë dëmet në terren
Pas regjistrimit të të dhënave në platformë, procesi do të vijojë me verifikimin e dëmeve nga 10 grupe pune të Drejtorisë së Tatimeve, të cilat do të dalin në terren për të evidentuar pasojat e shkaktuara ndaj bizneseve të vogla.
Sipas njoftimit, do të kontrollohet dokumentacioni i paraqitur dhe do të krijohet një regjistër i dëmeve. Pas përfundimit të verifikimeve, do të përcaktohen masat konkrete për mbështetjen e bizneseve dhe shlyerjen e dëmeve.
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjitha bizneseve të vogla të prekura nga protestat që të regjistrojnë dëmet në portal dhe të paraqesin dokumentacionin përkatës, në mënyrë që humbjet e tyre të evidentohen dhe të verifikohen.









