Një 24-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi akuzohet se kishte magazinuar në banesën e tij një sasi të konsiderueshme lëndësh piroteknike të kontrabanduara, të cilat dyshohet se do t’u shiteshin personave të përfshirë në protestat e ditëve të fundit.
Operacioni i koduar “Fireworks” u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për magazinimin e lëndëve piroteknike me qëllim përdorimin e tyre për veprimtari të kundërligjshme.
Gjatë kontrollit në katin e parë të banesës së 24-vjeçarit, në rrugën “Jargavani”, policia gjeti dhe sekuestroi 344 kuti me lëndë piroteknike të ndryshme, me vlerë të përllogaritur rreth 40 mijë euro.
Sipas policisë, dyshohet se i arrestuari i furnizonte me këto lëndë persona të maskuar dhe të dhunshëm gjatë protestave të zhvilluara në tri ditët e fundit në kryeqytet.
Ndërkohë, vijojnë kontrollet dhe hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme, si dhe për dokumentimin e plotë të rastit.








