Shoqata “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë” ka shprehur shqetësimin për zhvillimet e ditëve të fundit gjatë protestave në Tiranë, duke dënuar aktet e dhunës, vandalizmit dhe dëmtimit të pronës private.
Në një reagim publik, shoqata thekson se mbështet të drejtën e qytetarëve për të shprehur lirisht qëndrimet dhe kërkesat e tyre përmes protestave paqësore, si një e drejtë themelore në një shoqëri demokratike.
Megjithatë, sipas saj, ushtrimi i kësaj të drejte nuk mund të justifikojë dhunën, dëmtimin e pronës private apo rrezikimin e sigurisë së punonjësve.
“Sipërmarrja dhe veprimtaria e saj ekonomike nuk duhet të bëhen objekt i akteve të vandalizmit, shkatërrimit, dëmtimit dhe vjedhjes”, thekson shoqata.
Në përfundim, “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë” u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të marrin masat e nevojshme për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e bizneseve, duke vënë në dukje rëndësinë e mbrojtjes së punës dhe investimeve të sipërmarrësve shqiptarë.








