61 efektivë policie dhe 18 protestues kanë marrë trajtim në Spitalin e Traumës. Tre persona pritet t’i nënshtrohen ndërhyrjeve mjekësore, ndërsa në QSUT nuk ka më pacientë të shtruar nga protesta.
89 persona kanë marrë kujdes shëndetësor pas protestës së zhvilluar një ditë më parë në Tiranë. Ministria e Shëndetësisë ka publikuar bilancin, bazuar në të dhënat e Spitalit Universitar të Traumës dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Nga personat që kanë marrë trajtim në Spitalin e Traumës, 61 janë efektivë të Policisë dhe 18 protestues. Ndërkohë, 10 pacientë të tjerë janë trajtuar në QSUT.
Aktualisht, në Spitalin Universitar të Traumës vijojnë të jenë të shtruar gjashtë persona, katër efektivë policie dhe dy protestues, të cilët do të qëndrojnë nën kujdesin e ekipit mjekësor.
Tre prej të lënduarve, dy efektivë policie dhe një protestues, pritet t’i nënshtrohen ndërhyrjeve mjekësore. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ata janë të vetëdijshëm dhe në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, në QSUT, të 10 pacientët e trajtuar në shërbimet e Urgjencës Polivalente, Djegie-Plastikës dhe Okulistikës janë larguar nga spitali pas marrjes së mjekimit dhe rekomandimeve përkatëse. Ministria e Shëndetësisë bën me dije se aktualisht nuk ka persona të lënduar që vijojnë të marrin kujdes shëndetësor në QSUT.








