Xhama të thyer, vitrina të dëmtuara, biznese me qepena të ulur dhe semaforë jashtë funksionit. Kjo është panorama që kanë lënë pas protestat e dy ditëve të fundit në disa prej rrugëve të Tiranës.
Pasojat e përplasjeve janë të dukshme në fasadat dhe vitrinat e bizneseve përgjatë akseve ku janë zhvilluar protestat. Copat e xhamave vijojnë të qëndrojnë në trotuare, ndërsa disa sipërmarrje, kryesisht në Rrugën e Durrësit, janë përballur me dëme materiale dhe ndërprerje të aktivitetit.
Për bizneset, kostot nuk kufizohen vetëm te riparimi i vitrinave dhe ambienteve të dëmtuara. Orët e humbura të punës dhe pasiguria për rifillimin normal të aktivitetit shtojnë barrën financiare për sipërmarrësit e prekur.
Dëme janë regjistruar edhe në infrastrukturën publike. Disa semaforë në Tiranë kanë dalë jashtë funksionit, duke lënë kryqëzime pa sinjalistikën e nevojshme për orientimin e automjeteve dhe këmbësorëve. Situata e vështirëson qarkullimin dhe kërkon ndërhyrje për rikthimin e funksionimit normal.
Gjurmët e protestave duken edhe në tabelat e reklamave të dëmtuara nga zjarri dhe në kazanët e mbetjeve të përfshirë nga flakët gjatë përplasjeve.
Ndërsa dëmet janë të dukshme, fatura e plotë financiare ende nuk është përllogaritur. Përtej dëmtimeve të pronës publike, pasojat prekin drejtpërdrejt bizneset që kanë ndërprerë punën dhe qytetarët që përballen me vështirësi në lëvizjen në disa prej rrugëve të kryeqytetit.









