Bordi i Transparencës ka caktuar çmimet e reja të shitjes së karburanteve në Shqipëri. Sipas vendimit të marrë më 13 tetor 2026, çmimi i naftës me pakicë nuk do të jetë më shumë se 219 lekë për litër, ndërsa benzina do të tregtohet me një çmim maksimal prej 196 lekësh për litër.
Për shitjen me shumicë, çmimi maksimal i gazoilit është përcaktuar në 207 lekë për litër, ndërsa ai i benzinës në 184 lekë për litër.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi këtë të martë, më 13 tetor, në orën 14:00 dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të shqyrtohen sërish ndryshimet në treg.
Vendimi është marrë në mbështetje të aktit normativ për akcizat dhe kuadrit ligjor që rregullon tregtimin e hidrokarbureve, pas shpalljes së situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve me vendim të Këshillit të Ministrave.
Bordi u ka tërhequr vëmendjen operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për detyrimin e zbatimit të çmimeve të përcaktuara. Në rast të konstatimit të shkeljeve, sipas njoftimit, do të vendoset pezullimi i aktivitetit. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklarojnë se janë angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme në treg.








