Kosova synon të forcojë kontrollin mbi qarkullimin e parave në ekonomi, duke ulur nga 500 në 300 euro kufirin e pagesave me para të gatshme ndërmjet bizneseve. Masa është pjesë e nismave për të luftuar financimin e paligjshëm, për të rritur transparencën financiare dhe për të nxitur formalizimin e ekonomisë.
Njoftimi u bë nga ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë një aktiviteti të organizuar në kuadër të Procesit të Berlinit. Sipas tij, përdorimi i parasë fizike e bën më të vështirë gjurmimin e transaksioneve dhe verifikimin e origjinës së fondeve.
Sipas kufijve të rinj të njoftuar, pagesat CASH ndërmjet bizneseve do të lejohen deri në 300 euro, ndërsa për transaksionet mes bizneseve dhe konsumatorëve tavani do të jetë 2 mijë euro. Çdo pagesë mbi këto shuma do të duhet të kryhet përmes institucioneve financiare të licencuara.
Sipas Muratit, synimi është që transaksionet të jenë më të gjurmueshme dhe të kufizohen mundësitë për qarkullimin e parave me origjinë të paligjshme.
Gjatë aktivitetit, ministri foli edhe për tregun e kriptovalutave, duke bërë të ditur se Banka Qendrore e Kosovës ka ndërmarrë hapa për licencimin dhe mbikëqyrjen e operatorëve të këmbimit.
Kufizimi i pagesave me para të gatshme pritet të rrisë përdorimin e kanaleve formale financiare dhe të forcojë kontrollin mbi transaksionet në ekonominë e Kosovës.







