Një sërë ndryshimesh në organizimin dhe funksionimin e sistemit të mbrojtjes civile në Shqipëri janë propozuar përmes një projektligji të publikuar për konsultim publik. Nisma parashikon zgjerimin e kompetencave të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), krijimin e qendrave rajonale të mbrojtjes civile, si dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit ndaj institucioneve shtetërore, bashkive dhe subjekteve private.
Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen civile” synon të riorganizojë sistemin kombëtar të mbrojtjes civile, duke përcaktuar më qartë përgjegjësitë e institucioneve në parandalimin e fatkeqësive, përballimin e emergjencave dhe rehabilitimin e infrastrukturës së dëmtuar.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me fuqizimin e AKMC-së, e cila parashikohet të ketë kompetenca koordinuese, drejtuese, mbikëqyrëse dhe kontrolluese në fushën e mbrojtjes civile në të gjithë territorin e vendit. Agjencia do të mund të kërkojë informacion nga institucionet publike, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe subjektet private, si dhe të inspektojë zbatimin e detyrimeve ligjore prej tyre.
Në kuadër të riorganizimit, AKMC-ja parashikohet të funksionojë si drejtori e përgjithshme në nivel qendror, ndërsa në nivel rajonal do të organizohet përmes degëve territoriale të quajtura Qendrat Rajonale të Mbrojtjes Civile. Këto struktura do të koordinojnë dhe monitorojnë gatishmërinë, planet e emergjencave, trajnimin e personelit dhe reagimin e institucioneve vendore ndaj fatkeqësive.
Bashkitë do të kenë detyrime të reja për vlerësimin e rreziqeve dhe duhet të hartojnë dhe miratojnë dokumentin e vlerësimit të riskut nga fatkeqësitë brenda dy vjetëve nga hyrja në fuqi e ligjit. Brenda të njëjtit afat, parashikohet edhe krijimi i bazave të të dhënave për humbjet e shkaktuara nga fatkeqësitë në territorin e tyre.
Një tjetër ndryshim lidhet me inspektimet, të cilat do të ndahen në të programuara dhe jashtë programit. Inspektimet jashtë programit mund të autorizohen në raste krizash dhe emergjencash, pas aksidenteve ose incidenteve, pas denoncimeve dhe kur ka të dhëna apo dyshime të bazuara që justifikojnë kontrollin. Projektligji parashikon gjithashtu gjoba nga 500 mijë deri në 1 milion lekë për shkelje të detyrimeve të përcaktuara në ligj nga titullarët e institucioneve shtetërore dhe subjektet private. Shkeljet do të konstatohen nga personeli i AKMC-së i ngarkuar me detyrën e inspektimit.
Në fushën e reagimit ndaj emergjencave, nisma përcakton më qartë përgjegjësinë e AKMC-së për funksionimin dhe administrimin e numrit të unifikuar 112, si dhe parashikon krijimin e moduleve të përhershme të emergjencave civile, me kapacitete të trajnuara dhe të certifikuara sipas kritereve të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.







