Projektbuxheti i vitit 2027 parashikon ndryshime në politikat sociale, me fokus mbështetjen financiare për familjet me fëmijë, pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuara. Ndër masat kryesore është rishikimi i skemës së bonusit të bebeve, e cila pritet të zëvendësojë pagesën e vetme pas lindjes me mbështetje mujore deri në moshën 5-vjeçare të fëmijës. Projektbuxheti, që është drejt finalizimit, pritet të kalojë për herë të parë kufirin e 10 miliardë eurove, nga rreth 9.6 miliardë euro që është buxheti aktual pas rishikimit të muajit qershor. Një pjesë e fondeve parashikohet të orientohet drejt zgjerimit të skemave të mbështetjes sociale.
Ndryshon bonusi i bebeve
Sipas skemës së parashikuar, nga viti 2027 prindërit nuk do të përfitojnë më pagesën e menjëhershme pas lindjes, por një shumë mujore prej 5 mijë lekësh për fëmijën e parë, 7 mijë lekësh për të dytin dhe 10 mijë lekësh për fëmijën e tretë e në vijim. Aktualisht, bonusi i lindjes është 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për të dytin dhe 120 mijë lekë për të tretin.
Nëse pagesat mujore do të jepen për 60 muaj të plotë, përfitimi total do të arrinte në 300 mijë lekë për fëmijën e parë, 420 mijë lekë për të dytin dhe 600 mijë lekë për të tretin. Megjithatë, shumat përfundimtare do të varen nga kriteret dhe modalitetet që do të përcaktohen për zbatimin e skemës.
Dyfishim i bonuseve për pensionistët
Një tjetër masë e parashikuar lidhet me pensionistët. Qeveria synon të dyfishojë bonuset mujore në raport me vitin 2026, me qëllim rritjen e të ardhurave të kësaj kategorie dhe lehtësimin e shpenzimeve për jetesën.
Për momentin, mbeten për t’u përcaktuar vlera konkrete e pagesave, kategoritë përfituese dhe mënyra e zbatimit të skemës. Bonusi mujor përbën mbështetje shtesë dhe nuk duhet ngatërruar me rritjen e përhershme të pensionit bazë.
Më shumë mbështetje për fëmijët me aftësi të kufizuara
Projektbuxheti parashikon gjithashtu dyfishimin e pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara. Paralelisht, shteti pritet të marrë përsipër pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e tyre. Masa synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve që përballen me shpenzime të vazhdueshme për kujdesin dhe shërbimet e nevojshme, si dhe të mbështesë mbulimin e kujdestarëve me sigurime dhe krijimin e të drejtave për pension, sipas kushteve që do të përcaktohen në legjislacion.
Ndryshimet e parashikuara për vitin 2027 synojnë ta shtrijnë mbështetjen financiare përtej pagesave të menjëhershme, duke e orientuar atë drejt përfitimeve të vazhdueshme për familjet dhe kategoritë në nevojë. Efekti konkret i masave do të varet nga miratimi përfundimtar i buxhetit, fondet e alokuara dhe kriteret e përfitimit.








