Fondacioni Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim (AADF) prezantoi PENA – Press Education & Newsroom Access, një program të ri fellowship të dedikuar zhvillimit profesional të gazetarëve të rinj shqiptarë.
Aktiviteti i prezantimit u zhvillua në Piramidën e Tiranës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunitetit të gazetarëve dhe medias.
Në hapje të aktivitetit, Martin Mata, drejtor ekzekutiv i AADF, prezantoi vizionin që qëndron pas kësaj iniciative dhe rëndësinë e investimit në zhvillimin profesional të brezit të ri të gazetarëve.
“Vendimi për të hyrë në këtë fushë ka qenë i menduar gjatë dhe me shumë kujdes. PENA lindi pikërisht nga një nevojë që kemi identifikuar brenda komunitetit të medias dhe nga bindja se zhvillimi profesional kërkon mundësi konkrete, ekspozim dhe eksperiencë. Në AADF kemi ndërtuar ndër vite një përvojë shumë të mirë me programe fellowship si LEAD Albania dhe MIP, dhe ajo që na udhëheq vazhdimisht është pasioni për t’i dhënë vendit mundësitë që i duhen. Kemi shumë besim se PENA do të jetë një eksperiencë me vlerë të madhe për këdo që do të bëhet pjesë e saj. Në fund, investimi më i vlefshëm që mund të bëjmë është investimi tek të rinjtë”, tha Mata.
Alda Shabani, menaxhere projekti në AADF prezantoi programin dhe komponentët e tij, “PENA është konceptuar si një eksperiencë 9-mujore zhvillimi profesional, e ndërtuar mbi tre komponentë kryesorë: edukimin profesional, një fellowship 3-mujor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe realizimin e një projekti individual gazetarie, të shoqëruara me mentorim përgjatë gjithë programit.”
Nga janari deri në mars, pjesëmarrësit do të ndjekin 48 orë trajnimi të avancuar në fusha si etika në gazetari, metodat investigative dhe gazetaria në epokën e Inteligjencës Artificiale, nën drejtimin e ekspertëve ndërkombëtarë dhe vendas.
Në fazën e dytë, nga prilli deri në qershor, pjesëmarrësit do të zhvillojnë një fellowship tre-mujor pranë mediave të njohura në Shtetet e Bashkuara, duke fituar eksperiencë të drejtpërdrejtë në redaksi lajmesh dhe duke krijuar lidhje profesionale ndërkombëtare. Të përzgjedhurit që do të kualifikohen për këtë program do të përfitojnë pjesëmarrjen në të gjithë komponentët e tij, të mbështetur financiarisht nga AADF.
Faza përmbyllëse, nga korriku deri në shtator, do t’u japë pjesëmarrësve mundësinë të zhvillojnë një projekt individual gazetarie të lidhur me ekspertizën dhe interesat e tyre profesionale. Për realizimin e projekteve do të ofrohen edhe mikrogrante për kërkim, ndërsa produkti përfundimtar do të shërbejë si pjesë e portofolit profesional të secilit pjesëmarrës.
Programi synon gazetarë të rinj me potencial, kuriozitet profesional dhe dëshirë për t’u zhvilluar, për të sjellë ide të reja dhe për t’i kthyer ato në rezultate konkrete.
Kandidatët duhet të jenë shtetas shqiptarë, të jenë 22–32 vjeç, të kenë të paktën dy vite eksperiencë profesionale në gazetari, njohuri shumë të mira të gjuhës angleze dhe një diplomë universitare. Ata duhet gjithashtu të paraqesin shembuj të punës së tyre gazetareske të realizuar gjatë dy viteve të fundit.








