Bizneset shqiptare po përdorin teknologjinë për të rritur shitjet dhe zhvilluar aktivitetin. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se në vitin 2026, 62,9 % e ndërmarrjeve kanë një faqe interneti nga 61,0 % që ishte në vitin 2025. Në këtë periudhë, përdorimi i mediave sociale u rrit në 88,1 %, me një rritje 1,6 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2025.
“Në vitin 2026, 31,3 % e ndërmarrjeve kanë shitur produkte ose shërbime nëpërmjet faqes së internetit, aplikacioneve të dedikuara, faqeve e-commerce dhe platformave të tjera digjitale, nga 28,1 % që ishte në vitin 2025. Në vitin 2026, xhiroja e realizuar nga shitjet online arriti në 11,4 %, me një rritje prej 1,3 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2025”, vlerëson INSTAT-i.
Në vitin 2026, 34,5 % e ndërmarrjeve punësojnë specialistë të TIK-ut, nga 31,8 % në vitin 2025. Në këtë periudhë, 35,3 % e ndërmarrjeve përdorën shërbime cloud, nga 33,9 % në vitin 2025.
Në vitin 2026, 36,9 % e ndërmarrjeve përdorën një ose një grup aplikacionesh softuerike (ERP) nga 31,1 % që ishte në vitin 2025. Në vitin 2026, 12,4 % e ndërmarrjeve përdorën sisteme të inteligjencës artificiale, nga 9,0 % që ishte në vitin 2025.

Sipas madhësisë së ndërmarrjeve
INSTAT-I konstaton se në vitin 2026, të gjitha ndërmarrjet e mëdha (me mbi 250 të punësuar) zotërojnë një faqe interneti. Ky nivel prej 100 % është arritur që në vitin 2025 dhe mbetet i qëndrueshëm. Ndërmarrjet e mesme me 50-249 të punësuar u rritën nga 62,8 % në vitin 2025 në 64,7 % në vitin 2026.
Media sociale shënoi rritjen më të madhe në ndërmarrjet e vogla me 10-49 të punësuar, nga 85,5 % në vitin 2025 në 87,5 % në vitin 2026. Përsa u përket shitjeve online, rritjen më të madhe e shënuan ndërmarrjet e mesme me 50-249 të punësuar, nga 14,2 % në vitin 2025 në 22,9 % në vitin 2026.
Inteligjenca artificiale: rritjen më të madhe e shënoi në ndërmarrjet me 250+ të punësuar, nga 24,8 % në vitin 2025 në 28,1 % në vitin 2026. Shërbimet cloud, në vitin 2026, përdorimi i shërbimeve cloud u rrit në të gjitha grupet e ndërmarrjeve sipas madhësisë. Tek ndërmarrjet e mëdha me 250+ të punësuar, përqindja u rrit nga 54,5 % në vitin 2025 në 59,2 % në vitin 2026. Tek ndërmarrjet e mesme, ajo u rrit nga 46,3 % në vitin 2025 në 49,7 % në vitin 2026, ndërsa tek ndërmarrjet e vogla nga 31,0 % në vitin 2025 në 32,0 % në vitin 2026.

Sipas aktivitetit ekonomik
INSTAt-I vlerëson se sektorët që regjistruan peshën më të madhe në shitjen e produkteve dhe shërbimeve online për vitin 2026 janë aktivitetet e shërbimeve të telekomunikacionit, programimit kompjuterik, konsulencës, infrastrukturës kompjuterike dhe shërbimeve të tjera të informacionit me 53,8 %, pasuar nga akomodimi dhe shërbimi ushqimor me 52,7 %.
Të dhënat tregojnë se sektorët me përqindjen më të lartë të punësimit të specialistëve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit janë për vitin 2026 janë aktivitetet e botimit, transmetimit, prodhimit dhe shpërndarjes së përmbajtjeve me 79,3 %, si dhe aktivitetet e shërbimeve të telekomunikacionit, programimit kompjuterik dhe shërbimeve të tjera të informacionit me 73,8 %.








