Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka bërë gati portal, ku të gjitha bizneset e interesuara për të aplikuar kredi me interesa të ulëta në kuadër të programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tendë” mund ta bëjnë online, në mënyrë të thjeshtë dhe transparente. Ministrja Delina Ibrahimaj shpjegoi procesin, duke theksuar se portal i dedikuar i programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” do të prezantohet javën e ardhshme. Portali do të jetë i ndërlidhur me platformën e-Albania dhe do t’u mundësojë bizneseve të përgatisin më lehtë dokumentacionin për aplikimin për kredi, si dhe të ndjekin në kohë reale ecurinë e procesit.
“Portali do të ndihmojë biznesin në përgatitjen e dokumentacionit për aplikimin për kredi. Ai do të jetë i lidhur me platformën e-Albania dhe do të shërbejë si pasqyrë e procesit të aplikimit, ku biznesi do të ketë mundësi të informohet në çdo kohë se në çfarë faze është aplikimi”, deklaroi Ibrahimaj.
Ministrja bëri të ditur se, në kuadër të programit, po punohet së bashku me bankat dhe Shoqatën Shqiptare të Bankave për ta bërë skemën sa më të thjeshtë dhe të aksesueshme për bizneset që kërkojnë të investojnë dhe të rriten.
“Përmes këtij programi do të mbështesim çdo biznes shqiptar, në çdo sektor, për të marrë një kredi me normë interesi nga 2 deri në 3%, deri në 10 vite shlyerje dhe me një vlerë maksimale prej 2 milionë eurosh”, tha Ibrahimaj.
Ajo theksoi se stafi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit do të jetë në dispozicion të bizneseve gjatë gjithë procesit, ndërsa do të ofrohet edhe asistencë për hartimin e planeve të biznesit.
“Stafi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit do të jetë në dispozicion për asistencë gjatë procesit, ndërsa bizneseve do t’ju ofrohet mbështetje për hartimin e planeve të biznesit. ‘Dyfisho Sipërmarrjen Tënde’ është financim, asistencë dhe mbështetje konkrete për t’i kthyer planet e bizneseve në investime”, u shpreh ministrja.
Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” është një iniciativë e qeverisë shqiptare, në partneritet me sistemin bankar, që u krijon ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, si edhe fermerëve, mundësi të reja financimi për të investuar, modernizuar dhe zgjeruar aktivitetin e tyre. Programi ofron Garanci Sovrane deri në 70% , normë interesi preferenciale 2–3% , financim deri në 200 milionë lekë për çdo përfitues , si dhe mbështetje nga ekspertë për hartimin e biznesplanit. Ky program është një mundësi shumë e mirë e biznesit për të investuar në teknologji, pajisje, prodhim, bujqësi dhe turizëm.







