Nga Aurora Sulçe
Çmimet e larta, veçanërisht ato të produkteve ushqimore, janë shndërruar në një debat të gjerë publik, për shkak të ndjeshmërisë së lartë që ka kjo çështje, e cila na prek të gjithë, pa përjashtim.
Dhe sa herë përballemi me situata inflacioniste, çmimet kthehen edhe në një instrument të fortë të debatit politik, pavarësisht se cila parti është në opozitë. Vlen të theksohet se rritja e çmimeve gjatë viteve të fundit nuk ka qenë vetëm një dukuri shqiptare. Ajo është ndikuar ndjeshëm nga konjukturat ndërkombëtare, goditjet në zinxhirët e furnizimit dhe konfliktet gjeopolitike, fillimisht lufta Rusi-Ukrainë dhe së fundmi, tensionet në Lindjen e Mesme.
Duke qenë një ekonomi e varur në një masë të konsiderueshme nga importet dhe me probleme strukturore të trashëguara prej dekadash, Shqipëria është e ekspozuar ndaj goditjeve të tilla të jashtme. Në këto kushte, është normale që të diksutojmë se cilat janë politikat më efektive për të amortizuar ndikimin e tyre tek konsumatori.
Një nga propozimet që dëgjohet më shpesh në këtë debat është ulja e taksave dhe veçanërisht e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar ose ndryshe, TVSH-së. Kjo sipas ligjikës, që nëse TVSH-ja ulet, ulet edhe kostoja fiskale e produktit dhe për rrjedhojë, duhet të ulet edhe çmimi që paguan konsumatori. Por a ndodh realisht kështu? A është ulja e TVSH-së një mekanizëm magjik që çon automatikisht në uljen e çmimeve të ushqimeve?
Nëse do të ishte kështu, çdo qeveri, përfshirë edhe atë aktuale, do ta kishte përdorur këtë instrument shumë më lehtë. Do të ulte taksën, do të uleshin çmimet dhe bashkë me to, do të merrte edhe kredinë politike. Por ekonomia nuk funksionon kështu. Ulja e taksës nuk do të thotë automatikisht ulje e çmimit
Në literaturën ekonomike ekziston një koncept i rëndësishëm, i njohur si “tax incidence”, ose incidenca e taksës. Ai analizon se kush e përfiton realisht një ndryshim fiskal.
Ndërsa koncepti “VAT pass-through” mat se sa nga ndryshimi i TVSH-së kalon realisht në çmimin që paguan konsumatori.
Dhe pikërisht këtu qëndron dilema. Pasi ulja e TVSH-së nuk garanton automatikisht që çmimi final do të ulet dhe, aq më pak, që do të ulet në të njëjtën masë sa taksa. Një pjesë e kursimit mund t’i shkojë konsumatorit në formën e çmimeve më të ulëta. Por një pjesë tjetër mund të mbetet tek biznesi, duke rritur marzhin e fitimit ose të përdoret për të absorbuar rritje të tjera të kostove. Shqipëria ka pasur edhe raste konkrete që e ilustrojnë këtë debat.
Në vitin 2009, qeveria e drejtuar nga Sali Berisha uli TVSH-në për arsimin e lartë, përfshirë arsimin privat, me synimin për të lehtësuar barrën mbi sektorin dhe për të krijuar hapësirë për uljen e kostove për studentët. Megjithatë, ulja e taksës nuk u përkthye automatikisht në një ulje proporcionale të çmimeve të shërbimit.
Në vitin 2017, qeveria Rama aplikoi normën e reduktuar prej 6% të TVSH-së për strukturat akomoduese, me synimin për të mbështetur sektorin e turizmit, për të ulur kostot dhe për të rritur konkurrueshmërinë e tij. Edhe këtu, përfitimi i konsumatorit nuk ishte automatikisht i barabartë me vlerën e uljes së taksës. Arsyeja është e thjeshtë, pasi çmimi nuk përcaktohet vetëm nga taksa.
Ai përcaktohet nga kostoja e biznesit, kërkesa e konsumatorëve, niveli i konkurrencës, fuqia e tregut, elasticiteti i kërkesës dhe ofertës dhe, mbi të gjitha, nga mënyra se si bizneset përcaktojnë marzhet e tyre. Në një treg me konkurrencë të fortë, një biznes ka më shumë gjasa ta kalojë uljen e taksës te konsumatori. Nëse nuk e bën, një konkurrent mund të ofrojë një çmim më të ulët dhe t’i marrë klientët.
Por në një treg ku konkurrenca është më e dobët dhe kompanitë kanë më shumë fuqi në përcaktimin e çmimeve, një pjesë më e madhe e përfitimit nga ulja e taksës mund të mbetet tek biznesi.
Pjesë e këtij debati është bërë më herët edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, duke mos e lënë vetëm një argument teorik. FMN ka analizuar 1.231 ndryshime të TVSH-së në 17 vende të Eurozonës dhe ka gjetur se kalimi i ndryshimit të taksës në çmimet e konsumatorit është shpesh i pjesshëm. Veçanërisht për normat e reduktuara, studimi gjeti një nivel mesatar të “pass-through” rreth 30%, duke treguar se vetëm një pjesë e ndryshimit të taksës reflektohej në çmimin final. Pra, ideja se “ulëm TVSH-në me X pikë përqindje dhe çmimi do të ulet me po aq” nuk qëndron si një rregull ekonomik universal.
Madje, FMN ka qenë edhe më specifik në rastin e Shqipërisë. Në analizën e politikës tatimore shqiptare, FMN ka shqyrtuar edhe normën 6% të TVSH-së për turizmin dhe ka paralajmëruar se ulja e taksës mund të mos sjellë domosdoshmërisht përfitimin e synuar për konsumatorin.
Sipas argumentit të FMN-së, operatorët mund të rrisin çmimin para TVSH-së në mënyrë që çmimi final që paguan konsumatori të mbetet i pandryshuar. Në këtë rast, kursimi fiskal nuk shkon te konsumatori, por mund të përvetësohet nga ofruesi i shërbimit si fitim shtesë.
Dhe kjo është pikërisht arsyeja pse në ekonominë publike nuk mjafton të shohim vetëm sa u ul taksa. Duhet të shohim edhe ku përfundoi përfitimi nga ulja e saj. Ndaj në këndvështrimin tim, është e gabuar që ta trajtosh uljen e TVSH-së si një garanci për uljen e çmimeve.
Nëse objektivi kryesor është mbrojtja e konsumatorit, atëherë duhet parë edhe ajo që ndodh përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit. Nga fermeri dhe prodhuesi, tek grumbulluesi, importuesi, distributori dhe tregtari, deri tek rafti i supermarketit. Sa është marzhi në secilën hallkë? Ku rritet çmimi? Ku krijohet diferenca më e madhe? Dhe kush po përfiton më shumë nga rritja e çmimeve? Një monitorim më i mirë i zinxhirit të vlerës dhe më shumë transparencë mbi marzhet do të ishin një instrument shumë më i dobishëm për të kuptuar nëse kemi një problem real kostosh apo një problem konkurrueshmërie dhe fuqie tregu. Pasi nëse kemi një treg ku konkurrenca funksionon, ulja e taksës ka më shumë gjasa të kalojë te konsumatori. Nëse konkurrenca nuk funksionon, rrezikojmë që një pjesë e faturës fiskale që shteti heq dorë nga mbledhja të përfundojë si fitim shtesë për biznesin. Ndaj dhe kjo transparencë, që qeveria është zituar ta bëjë nga shtatori në gjykimin tim dhe për arsyet që analizova më sipër, është e nevojshme dhe shumë e vlefshme.
Por në debatin për uljen e TVSH-së ka edhe një tjetër faturë, që është ajo e buxhetit. Ky është elementi i dytë që duhet të kemi parasysh dhe që është kostoja që shkakton ulja e TVSH-së. TVSH-ja është një nga burimet kryesore të të ardhurave tatimore të shtetit. Çdo ulje e saj do të thotë më pak të ardhura në buxhet, përveç rastit kur efekti kompensohet nga rritja e bazës së taksueshme apo nga masa të tjera fiskale.
Pra, nëse shteti mbledh më pak të ardhura nga TVSH-ja, cilat shpenzime do të ulen ose cilat taksa të tjera do të rriten për të kompensuar diferencën? Pasi këto para nuk zhduken. Ato duhet të zëvendësohen diku. Buxheti i shtetit financon paga, pensione, shërbime publike, arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe investime. Prandaj çdo propozim për uljen e një takse duhet të shoqërohet me një përgjigje shumë konkrete për dilemat që ngrihen. Sa kushton? Kush përfiton? Sa do të ulen realisht çmimet? Dhe si do të kompensohet mungesa e të ardhurave në buxhet?
Këto janë pyetje që duhet t’i përgjigjet çdo forcë politike që propozon uljen e TVSH-së. Sepse premtimi “do të ulim TVSH-në dhe do të bien çmimet” është politikisht i thjeshtë, por ekonomikisht nuk mjafton. Politikat fiskale kërkojnë llogari. Më pak taksa apo më shumë rishpërndarje?
Vendet e zhvilluara nuk mbështeten vetëm te ulja e taksave si instrument për të mbrojtur qytetarët nga goditjet e çmimeve. Një pjesë e rëndësishme e politikës ekonomike është mbledhja e të ardhurave përmes taksave dhe rishpërndarja e tyre tek grupet që kanë më shumë nevojë për mbështetje. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në periudha inflacioniste.
Ndaj personalisht mbështes më shumë politika që rrisin transparencën e tregut, konkurrencën e ndershme dhe kontrollin e zinxhirit të çmimeve, në mënyrë që të kuptojmë se ku krijohet realisht çmimi dhe kush përfiton prej tij. Dhe vetëm duke pasur këtë panoramë, mund të bëhen ndërhyrje për mbrojtjen e konsumatorit.







