Ndryshojnë procedurat për punësimin e shtetasve të huaj. Udhëzimi i ri i përbashkët i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme që shfuqizon rregullat e miratuara në vitin 2023, shkurton afatet për miratimin online të kërkesës për punësim.
Sipas udhëzimit të ri të botuar në Fletoren Zyrtare, aplikimet për leje unike do të bëhen përmes platformës e-Albania, ndërsa Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), do të ketë vetëm 1 ditë pune për të dhënë një përgjigje nga 2 javë (10 ditë punë) që ishte afati i mëparshëm.
“Autoriteti përgjegjës qendror/rajonal i AKPA së shprehet në sistemin elektronik online, me miratim paraprak/aprovim/kërkesë për plotësim dokumentacioni apo refuzim të kërkesës për miratim punësimi, brenda 1 (një) dite pune pas vlerësimit të aplikimit në sistemin e shërbimeve të punësimit, kontratës së punës/ofertës së punës (sipas formatit standard në shtojcën 1 dhe/ose dokumenteve të tjera të nevojshme)”, përcaktohet në udhëzimin e ri.
Udhëzimi i ri zgjeron edhe kategoritë e të huajve që përfshihen në procedurën e miratimit të punësimit, duke synuar një proces më të shpejtë dhe më të thjeshtë administrativ.
Udhëzimi i vitit 2023 përfshinte kryesisht punëmarrës, punëtorë sezonalë, ICT, të kualifikuar, vullnetarë, sportistë dhe shërbime kontraktuale.
Në udhëzimin e ri, shtohet edhe kategori të tjera, përfshirë të vetëpunësuarit, punonjësit ndërkufitarë, personat për formim profesional dhe punëtorët e shtëpisë.
Udhëzimi i ri për punësimin e të huajve
- Bashkëpunimin ndërinstitucional ndërmjet autoriteteve shtetërore përgjegjëse që mbulojnë çështjet e kufirit dhe migracionit, dhe autoriteteve shtetërore përgjegjëse që mbulojnë çështjet e punësimit të të huajve, mbi zbatimin e procedurave të miratimit të lejes unike, për kategoritë e të huajve që kërkojnë miratim për punësim.
- Kërkesa për pajisje me leje unike ose për ripërtëritjen e saj, bëhet nëpërmjet platformës ealbania, drejtuar drejtorisë së kufirit dhe migracionit në rajonin ku kryhet aktiviteti.
- Për kategoritë e të huajve, punëmarrës, të vetëpunësuar, punonjës ndërkufitarë, për formim profesional, punëtorët e shtëpisë, punonjës stinorë, të transferuar brenda ndërmarrjes, punonjës me kualifikim të lartë, vullnetarë, sportistë dhe shërbime kontraktuale, kërkesa shqyrtohet fillimisht nga autoriteti përgjegjës qendror/rajonal i Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), që mbulon territorin ku i huaji kryen aktivitetin.
- Për shtetasit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe anëtarët e familjes së tyre, dhe shtetas të zonës Shengen, që nuk janë anëtarë të Bashkimit Evropian dhe që janë me qëndrim të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë, shtetasit e njërit prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, Bosnjë Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, kërkesa trajtohet vetëm nga struktura vendore e kufirit dhe migracionit, ndërsa AKPA-ja i siguron të dhënat për këtë kategori të huajsh të punësuar, nëpërmjet sistemit elektronik.
- Autoriteti përgjegjës qendror/rajonal i AKPA së shprehet në sistemin elektronik online, me miratim paraprak/aprovim/kërkesë për plotësim dokumentacioni apo refuzim të kërkesës për miratim punësimi, brenda 1 (një) dite pune pas vlerësimit të aplikimit në sistemin e shërbimeve të punësimit, kontratës së punës/ofertës së punës (sipas formatit standard në shtojcën 1 dhe/ose dokumenteve të tjera të nevojshme).
- Autoriteti përgjegjës qendror/rajonal i AKPAsë, miraton kërkesën për punësim nëse janë plotësuar kriteret e pikës 6, të nenit 74, të ligjit “Për të huajt”, të ndryshuar, kriteret dhe dokumentacionin sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 858, datë 29.12.2021, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe duke u bazuar në dokumentacionin e siguruar nëpërmjet konsultimit me sisteme të tjera informatike.
- Për ripërtëritjen e lejes unike, në rastet kur kërkohet miratimi për punësim, ndiqet e njëjta procedurë si në rastin e kërkesës për miratim për punësim për herë të parë, me përjashtim të shpalljes së vendit të lirë të punës
- Në rast se, miratimi për punësimin e një të huaji revokohet, autoriteti përgjegjës qendror/ rajonal i AKPA-së, shprehet në sistemin elektronik online për revokimin e miratimit për punësim.
- Autoriteti përgjegjës vendor për kufirin dhe migracionin dhe autoriteti përgjegjës qendror/ rajonal i AKPA-së, shkëmbejnë informacione për rastet kur ka ndryshim të kushteve të punësimit apo kur AKPA-ja refuzon të japë miratimin për punësimin e një të huaji.
- Verifikimi i dokumentacionit të paraqitur online për miratimin e lejes unike, bëhet nga autoriteti përgjegjës vendor për kufirin dhe migracionin.
- Drejtori i përgjithshëm i AKPA-së përcakton personat përgjegjës për aprovimin apo refuzimin e kërkesës në strukturën qendrore/rajonale.
- Udhëzimi i përbashkët i ministrit të Brendshëm dhe i ministrit të Financave dhe Ekonomisë nr. 3, datë 11.1.2023, “Mbi bashkëpunimin ndërinstitucional ndërmjet autoriteteve përgjegjëse të Ministrisë së Brendshme dhe autoriteteve përgjegjëse të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për përcaktimin e procedurave për miratimin e lejes unike”, shfuqizohet. 1
- Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive. Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare./Monitor







