Pavarësisht se numri i punonjësve në sektorin shtetëror është rritur me ritme te shpejta duke arritur në më shumë në rreth 186 mijë persona në fund të vitit të kaluar, Administrata publike e mbylli vitin 2025 me 79,110 punonjës faktikë, nga 84,897 vende pune të planifikuara, duke lënë të paplotësuara 5,787 pozicione, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave.
Organika e administratës ishte realizuar në masën 93.2%, ndërsa rreth 6.8% e vendeve të miratuara rezultonin vakante në fund të vitit të kaluar.
Të dhënat tregojnë se mungesat më të mëdha të e vendeve të paplotësuara ishin përqendruar në sistemin arsimor, në strukturat e rendit dhe të mbrojtjes, si dhe në administratën tatimore.
Arsimi me 1,382 punonjës më pak se plani
Hendekun më të madh në numër absolut e kishte Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, me 29,501 punonjës faktikë, kundrejt 30,883 të planifikuar. Në këtë sektor mungonin gjithsej 1,382 punonjës, ose rreth 4.5% e organikës vitin e kaluar.
Megjithatë, arsimi mbetet edhe sektori me numrin më të madh të të punësuarve në administratën publike, duke përbërë më shumë se një të tretën e totalit.
Pas arsimit renditet Ministria e Brendshme, e cila kishte 14,770 punonjës nga 15,589 vende të planifikuara, ose mungesë 819 punonjës.
Ministria e Mbrojtjes rezultonte me 8,232 punonjës faktikë, nga 8,954 të planifikuar, duke lënë bosh 722 vende pune.
Hendek i konsiderueshëm konstatohet edhe në strukturat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, ku mungonin 455 punonjës, si dhe në sistemin e Ministrisë së Drejtësisë, me 385 vende të paplotësuara.
Në grupin e institucioneve të tjera qeveritare mungonin 319 punonjës, ndërsa në strukturat e Këshillit të Lartë Gjyqësor hendeku arrinte në 258 vende.
Tatimet, AKSHI dhe ushtria me mungesat më të mëdha
Në nivel institucionesh individuale, hendekun më të madh e kishte Reparti Ushtarak nr. 3001 në Tiranë, ku nga 714 vende të planifikuara ishin plotësuar vetëm 503. Struktura funksiononte me 211 punonjës më pak se organika.
Pas tij renditet aparati i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, me vetëm 168 punonjës faktikë nga 327 të planifikuar. Administrata qendrore e Tatimeve kishte kështu 159 punonjës mangët, ose pothuajse gjysmën e organikës të paplotësuar.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, kishte 265 punonjës nga 398 të planifikuar, me një hendek prej 133 vendesh pune.
Mungesa të mëdha kishte edhe në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, me 105 punonjës mangët dhe Repartin Ushtarak nr. 4300, me 99 punonjës mangët, në Gardën e Republikës, me 96 vende të paplotësuara, përfaqësitë diplomatike, me 92 punonjës më pak se plani, Zyrën Vendore Arsimore Shkodër, me 74 vende të paplotësuara, administratën qendrore të Policisë së Shtetit, me 67 punonjës mangët.
Edhe aparati i Kryeministrisë rezultonte nën organikën e miratuar, me 157 punonjës faktikë nga 215 të planifikuar, ose 58 vende bosh./ Monitor








