Kuvendi pritet të diskutojë dhe të miratojë në shtator, me celjen e sesionit të ri parlamentar projektligjin “Për Dhomën Ekonomike Kombëtare”, që i bashkon të gjitha bizneset në një Dhomë të vetme, me qëllim dhënien fund të fragmentarizimit të tyre në disa shoqata apo dhoma dhe unifikimit në një zë të vetëm të sipërmarjen. Drafti është hehdur sërish për konsultim public nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit.
Projektligji përcakton se çdo subjekt tregtar me status aktiv në Regjistrin Tregtar, në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit, bëhet anëtar i Dhomës “ipso lege”, pra automatikisht. E njëjta gjë do të vlejë edhe për subjektet e reja që regjistrohen apo aktivizohen në Regjistrin Tregtar, pas hyrjes në fuqi të ligjit.
Nga anëtarësimi i detyrueshëm përjashtohen subjektet që kanë detyrim të regjistrohen ose anëtarësohen në dhoma, urdhra profesionalë apo organizime të tjera të krijuara me ligj të posaçëm. “Anëtarësimi në Dhomën Ekonomike Kombëtare “ipso lege”, nuk zbatohet për subjektet tregtare që janë të detyruara të regjistrohen ose të anëtarësohen në dhoma, urdhra profesionalë, organizata profesionistesh, shoqata biznesit, dhoma bilaterale ose multilaterale biznesi të krijuar me ligj të posaçëm”, thuhet në projekligj.
Anëtarësimi do të shoqërohet me një tarifë vjetore regjistrimi, e cila do të bëhet e detyrueshme pas përfundimit të periudhës tranzitore të parashikuar në ligj.
Për subjektet që nuk janë tatimpaguese të tatimit mbi fitimin, tarifa do të jetë 1,000 lekë në vit. Për bizneset e tjera, tarifa do të miratohet nga Asambleja e Përgjithshme e Dhomës Ekonomike Kombëtare, në varësi të formës ligjore, madhësisë së ndërmarrjes, numrit të punonjësve dhe xhiros vjetore, por në çdo rast nuk do të mund të kalojë 70 mijë lekë në vit.
Për subjektet që regjistrohen për herë të parë në Regjistrin Tregtar, tarifa e vitit të parë do të jetë 1,000 lekë. Pas vitit të parë, ato do t’i nënshtrohen regjimit të përgjithshëm të tarifave.
“Periudha tranzitore” përkufizohet tashmë si periudha nga hyrja në fuqi e ligjit deri në përfundimin e mandateve të organeve ekzistuese të zgjedhura sipas ligjit aktual për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë. Gjatë kësaj periudhe, subjektet tregtare do të kenë statusin e anëtarit dhe do të gëzojnë të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga anëtarësia, por nuk do të jenë të detyruara të paguajnë tarifën vjetore të regjistrimit.
Tarifa do të paguhet nëpërmjet sistemit bankar, jo më vonë se 30 prill i vitit pasardhës, ndërsa procedurat e mbledhjes dhe derdhjes së saj do të përcaktohen me akt nënligjor të Këshillit të Ministrave.
Mosshlyerja e tarifës do të përbëjë kundërvajtje administrative dhe do të dënohet me gjobë, masa e së cilës do të përcaktohet me akt nënligjor.
Dhoma Ekonomike Kombëtare parashikohet të funksionojë si person juridik i së drejtës publike dhe të ketë një rol më të gjerë sesa dhomat aktuale të tregtisë. Ajo do të përfaqësojë interesat e sipërmarrjes, do të koordinojë dhomat sektoriale dhe do të ushtrojë edhe funksione publike të deleguara. Ndër të tjera, Dhoma do të ketë rol në identifikimin, verifikimin dhe përditësimin e kodeve NVE të bizneseve, do të ofrojë mbështetje për procedurat e regjistrimit në QKB, do të lëshojë certifikata origjine, “Carnet ATA” dhe “Carnet TIR”, si dhe do të kryejë analiza dhe studime ekonomike. Projektligji parashikon gjithashtu që Dhoma Ekonomike Kombëtare të ketë akses në Regjistrin Tregtar, Regjistrin e Lejeve, Licencave dhe Autorizimeve, për ushtrimin e funksioneve të saj publike dhe shkëmbimin e të dhënave me Qendrën Kombëtare të Biznesit.








