Shtohen aksidentet në vend. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në prill janë regjistruar 132 aksidente rrugore, në të cilat 194 persona kanë mbetur të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur). Ndërsa gjatë periudhës janar-prill 2026, numri i aksidenteve rrugore ka pësuar nje rritje të lehtë me 0,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

INSTAT konstaton se gjatë muajit prill, 89.4 % e aksidenteve rrugore kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve. Grup-mosha 25-34 vjeç paraqet numrin më të lartë të aksidenteve, duke përbërë 27.3 % të numrit total të aksidenteve të regjistruara në këtë periudhë.
Numri më i lartë i aksidenteve rrugore, sipas ditëve të javës, është shënuar ditën e mërkurë dhe të premte me nga 16.7 % secila, ndërsa numri më i ulët është regjistruar ditën e enjte me 9.8 %. Numri më i lartë i aksidenteve rrugore është regjistruar përgjatë harkut kohor 19:00-24:00, duke përbërë 30.3 % të numrit total të aksidenteve rrugore.









