Mikrofinanca po bëhet mbështetje për sektorët që nuk kreditohen nga bankat, për shkak të riskut të lartë, si bujqësia apo bizneset e vogla. Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2025 kredia e dhënë nga shoqëritë e mikrofinancës arriti në rreth 530 milionë euro, me rritje 10 miliardë lekë apo 24.4 për qind kundrejt 2024-ës. Kjo hua përbën sot rreth 7% të totalit të kredisë së dhënë për ekonominë. Pjesa më e madhe e tyre shkon si mbështetje për bizneseve, ndjekur nga individët dhe fermerët.
“Mikrofinanca në Shqipëri ka një zhvillim thelbësor, prej 30 vitesh ndihmon binzeset e vogla, individët për një mirëqenie më të mirë. Sot mikrofinanca është lideri i zhvillimit digjital në Shqipëri dhe po ndihmon jo vetëm në edukimin financiar, por edhe atë digjital shqiptar. Roli i mikrofinancës po njihet gjithnjë e më tepër nga Komisioni Europian dhe direktivat që po përafrohen, do të kenë në fokus edhe mikronfinancën sepse roli i saj në Shqipëri është i rëndësishëm sepse përfaqësojmë 25% të kërkesave për Shqipëri”, shprehet Arlinda Muja, kryetare e Shoqatës së Mikrofinancës Shqiptare.
400 përfaqësues të industrisë së mikrofinancës, investitorë dhe ekspertë nga 36 vende të botës u bënë bashkë për të marrë pjesë në Konferencën e 28-të Vjetore të Qendrës së Mikrofinancës, me temë “Mikrofinanca në tranzicion: A është misioni në rrezik?”.
Konferenca përfundoi me thirrjen që sektori i mikrofinancës të ruajë balancën mes objektivave tregtare dhe misionit social, duke vijuar të mbështesë shtresat dhe bizneset që kanë më shumë nevojë për akses financiar.








