Bashkimi Europian disbursoi 49 milionë euro për Shqipërinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke e renditur vendin mes përfituesve kryesorë të paketës së re financiare që synon përshpejtimin e reformave ekonomike dhe afrimin me tregun unik europian.
Komisioni Europian njoftoi të mërkurën cclirimin e një pakete totale prej 158.9 milionë eurosh për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, pas vlerësimit pozitiv të reformave të ndërmarra nga tre vendet. Shqipëria përfitoi pjesën më të madhe pas Maqedonisë së Veriut, me 49 milionë euro të destinuara për mbështetjen e konkurrueshmërisë së biznesit, inovacionit dhe zgjerimit të aksesit në financim për sektorin privat.
Nga fondi total për Tiranën, 22.8 milionë euro do të transferohen direkt në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër do të kanalizohet për projekte investimi përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), subjekt i miratimeve të mëtejshme europiane.
Brukseli vlerësoi veçanërisht masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për përmirësimin e klimës së biznesit, lehtësimin e investimeve dhe mbështetjen e kompanive aktive në sektorët e gjelbër dhe digjital. Sipas Komisionit, reformat synojnë të krijojnë një ekonomi më konkurruese dhe më të integruar me standardet e Bashkimit Europian.
Pagesa përfaqëson këstin e tretë në kuadër të Mekanizmit të Reformës dhe Rritjes, instrumenti financiar prej 6 miliardë eurosh që BE-ja miratoi për rajonin me synimin për të afruar ekonomitë e Ballkanit Perëndimor me tregun europian përpara anëtarësimit të plotë.
Me disbursimin e fundit, fondet totale të dhëna për Shqipërinë në kuadër të këtij mekanizmi kanë arritur në 212.8 milionë euro, duke e kthyer vendin në një nga përfituesit kryesorë të paketës europiane për rajonin.
Programi i BE-së është konceptuar për të nxitur reforma strukturore, investime në energji të pastër, transport, infrastrukturë digjitale dhe zhvillim të kapitalit njerëzor. Autoritetet europiane kanë theksuar se disbursimet e ardhshme do të varen nga progresi i mëtejshëm në zbatimin e reformave të dakorduara me Brukselin. Për Shqipërinë, financimi vjen në një moment kur vendi po përpiqet të përshpejtojë negociatat e anëtarësimit.







