Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka njoftuar tërheqjen nga tregu të produktit “EnerBiO Dinkel Waffeln Natur” (EAN 4305615676876 / DAN 055700), pas informacionit të ardhur nga subjekti Rossman & Lala dhe kompania gjermane “Dirk Rossmann GmbH”.
Sipas njoftimit, masa është ndërmarrë në mënyrë parandaluese për shkak të tejkalimit të nivelit të lejuar të mykotoksinave (toksina të mykut) në produkt.
Të dhënat e produktit:
• Emri i produktit: EnerBiO Dinkel Waffeln Natur
• EAN: 4305615676876
• DAN: 055700
• Datë skadence: 18.01.2027
Subjekti ka bërë të ditur se është kryer tërheqja e menjëhershme e produktit nga të gjitha pikat e shitjes, pa dallim numri LOT-i apo date skadence.
Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po vijon verifikimet përkatëse mbi rastin dhe u bën thirrje konsumatorëve që, nëse e kanë blerë këtë produkt dhe e kanë ende në përdorim, ta kthejnë pranë pikave të shitjes.








