Kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut ka pësuar përsëri rënie ditën e sotme dhe ka thyer lehtë minimumin e mëparshëm historik.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 95.32 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Që nga fillimi i vitit, Euro është zhvlerësuar me 1.5%, ndërsa me bazë vjetore rënia e monedhës europiane ka arritur nivelin 2.8%.
Agjentët e këmbimit valutor shprehen se kursi i këmbimit të Euros vazhdon të karakterizohet nga presione në rënie, për shkak të ofertës së bollshme të valutës në treg.
Këto presione në rënie zbuten përkohësisht nga ndërhyrjet e vazhdueshme të bankës së Shqipërisë. Por, brenda një harku disaditor, trysnia e tregut për ta zhvlerësuar kursin e Euros rritet sërish, duke bërë që ai të shënojë rekorde të reja historike në rënie, ndonëse me amplituda të kufizuara lëvizjeje.
Tremujori i tretë i vitit i ka theksuar më shumë presionet nënçmuese mbi Euron, për shkak të rritjes së ofertës valutore, të lidhur sidomos me turizmin. Është e pritshme që tregu ta shtyjë Euron në rënie gjatë gjithë sezonit veror, ndërsa masa e rënies do të ngelet e lidhur me rolin që do të vazhdojë të luajë Banka e Shqipërisë.
Sipas statistikave zyrtare, vitin e kaluar Banka Qendrore bleu 1 miliard e 27 milionë euro, për objektivit të rritjes së rezervës valutore, por në pjesën më të madhe në funksion të qëllimit për të frenuar forcimin e kursit të këmbimit të Lekut. Sasia e valutës së blerë u rrit me 10% krahasuar me një vit më parë. Gjithsej, në periudhën 2024-2025 Banka Qendrore ka blerë afërsisht dy miliardë euro në tregun valutor, blerje që vetëm sa e kanë ngadalësuar rënien e Euros.
Blerjet e valutës kanë vazhduar edhe përgjatë muajve të parë të këtij viti, duke parë tendencën në rënie të kursit të këmbimit Euro-Lek, por shifrat e blerjeve nuk janë bërë ende publike.
Megjithatë, me inflacionin që po afrohet drejt objektivit prej 3%, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë do të bëhen më të vështira për t’u motivuar me argumentin e ruajtjes së stabilitetit të çmimeve. Një reduktim i rolit të Bankës së Shqipërisë në tregun e këmbimit valutor mund të sjellë rënie me ritme disi më të lartë të kursit të Euros. Nga ana tjetër, një efekt i kundërt i lidhur me shtrenjtimin e pritshëm të mallrave të importit në kursin e këmbimit, për momentin, nuk po shfaqet./Monitor










