8 ditë pas zjarrit që shkrumboi banesat e rreth 37 familjeve në pallatin 12-katësh pranë “Farmacisë 10”, Këshilli Bashkiak i Tiranës u mblodh këtë të mërkurë dhe miratoi dhënien e bonusit të qirasë për familjet e prekura.
Mbledhja u shoqërua me debate mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, pasi këta të fundit kërkuan shpjegime mbi shkaqet e rënies së zjarrit, përgjegjësit dhe mënyrën si do të financohen dëmet.
Këshilli Bashkiak miratoi dëmshpërblimin prej 40 mijë lekësh në muaj për 37 familje, kompensim që do të jetë në fuqi deri në rikthimin e tyre në banesat e rindërtuara.
Efektet financiare do të përballohen nga të ardhurat e Bashkisë Tiranë në programin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Mbrojtjes Civile. Për të përfituar bonusin e qirasë familjet duhet të vërtetojnë që nuk kanë një banesë tjetër në pronësi brenda Bashkisë së Tiranës.
Po ashtu në këtë mbledhje, Këshilli Bashkiak i Tiranës, me kërkesë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës, dha pëlqimin për projektvendimin e Qeverisë për kompensimin e linjave të transportit qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas, si pjesë e paketës “Anti-Krizë”, pas rritjes së çmimit të naftës.
Projektvendimi i qeverisë synon kompensimin e shoqërive të transportit në masën 50 lekë për litër karburanti, për një periudhë tre mujore, mars, prill, maj 2026, por jo më shumë se sasia e konsumuar për të njëjtën periudhë të vitit 2025. Pas dhënies së pëlqimit në Këshillin bashkiak të Tiranës, tashmë vendimi do të kalojë në qeveri për verdiktin përfundimtar.








