TFL prej vitesh ka denoncuar përmes raporteve mungesën e fondeve të mjaftueshme për Shëndetësinë
OECD: Shqipëria me shpenzimet më të ulëta shëndetësore për frymë në Europë
Në vitin 2022 shteti Shteti Shqiptar Buxhetoi dhe Shpenzoi vetëm 734 euro për banorë (për frymë). Niveli më i ulët në Europë sipas raportit të fundit të Organizata për bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) mbi gjendjen shëndetësore në Europë më 2024.
Fatkeqësisht gati 5 herë më të ulëta se mesatarja e BE-së prej 3,533 euro.
OECD: Të fundit edhe në rajon
Në të njëjtin raport, OECD raporton se:
Mali i Zi shpenzon 217% më shumë se Shqipëria, ose 1.593 euro për frymë në vit.
Serbia shpenzon 207% më shumë se Shqipëria, ose 1.517 euro për frymë në vit.
Maqedonia e Veriut shpenzon 56% më shumë se Shqipëria, ose 1.142 euro për frymë në vit.
Bosnjë-Hercegovina shpenzon 46% më shumë se Shqipëria, ose 1.072 euro për frymë në vit.
Turqia shpenzon 36% më shumë se Shqipëria, ose 1.000 euro për frymë në vit.
Po ta krahasojmë me mesataren e Bashkimit Europian, ajo është 481% më shumë se në Shqipëri, ose 3.533 euro për frymë në vit.
Të dhënat e raportit “Transparenca dhe llogaridhënia në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri”, publikuar nga Together for Life
Fakt i evidentuar edhe në Raportin e Monitorimit të shpenzimeve të sektorit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2023, realizuar nga shoqata Together For Life në kuadër të projektit “Transparenca dhe llogaridhënia në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri”, mbështetur nga NED– National Endowement for Democracy.
Buxheti i shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale në përqindje ndaj PBB rezulton në rënie në vitin 2022 krahasuar kjo me dy vite më parë, rënie kjo pjesërisht e shpjegueshme prej faktit që në vitet 2020-2021 buxheti për sektorin e shëndetësisë pësoi rritje më të madhe se normalisht për të financuar shpenzimet e lidhura me menaxhimin e pandemisë së shkaktuar nga virusi i SARS COV-2 (COVID-19). Sa i përket buxhetit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale në raport me shpenzimet e përgjithshme publike, ruhet një nivel mesatar prej 12.5%. Ajo që bie në sy është fakti që në vitin 2022 shpenzimet faktike të MSHMS shkojnë në nivelin 12%, në të njëjtin nivel si në vitin 2017, pavarësisht rritjes në vlerë nominale të trendit të shpenzimeve.
Nëse do të analizojmë vetëm sektorin e shëndetësisë, shpenzimet në përqindje ndaj PBB në vite luhaten në intervalin 2.9%-3.4%, me një mesatare prej 3.1% të PBB. Ndërkohë, shpenzimet e shëndetësisë ndaj shpenzimeve të përgjithshme publike përgjatë periudhës 2017-2022 rezultojnë në masën 10.1%. Në këtë mesatare është përjashtuar viti 2021, i cili rezulton me shpenzime të larta (one off) për shkak të menaxhimit të situatës pandemike të shkaktuar në vend nga virusi SARS COV 2.
Shpenzimet faktike në vite sipas programeve kryesore buxhetore të MSHMS paraqiten në grafikun e mëposhtëm. Ajo që vihet re është trendi në rënie i shpenzimeve për kujdesin parësor, kombinuar me trendin në rritje të shpenzimeve për shëndetin publik dhe atë dytësor. Sa i përket shpenzimeve të lidhura me mbrojtjen sociale, konstatohet që ruhet një trend normal përgjatë kësaj kohe, me mesatarisht 38.1% të buxhetit total të MSHMS.
Krahasuar me Rajonin, shpenzimet në sektorin e shëndetësisë për Shqipërinë në raport me shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë më të ulëtat me mesatarisht 10.1% përgjatë periudhës 2016-2021, ndërkohë që kryeson listën e vendeve të rajonit me shpenzimet më të larta për shëndetësinë Mali i Zi.
Ndërkohë, referuar treguesit tjetër të shpenzimeve të shëndetësisë në raport me produktin e brendshëm bruto (GDP), Shqipëria vijon të mbetet e fundit në rajon me një nivel mesatar prej rreth 3% ndaj PBB. Vendet e tjera të rajonit kanë një nivel të lartë të shpenzimeve të shëndetësisë në raport me PBB duke arritur në nivel mbi 5.5% e PBB.
Vërejmë se pavarësisht rritjes së buxhetit në vlerë nominale në vite, shëndetësia në Shqipëri vijon të mbetet prapa krahasuar edhe me rajonin, gjë që dëshmohet nga pesha e vogël që kanë shpenzimet e shëndetësisë në shpenzimet e përgjithshme publike dhe në Produktin e Brendshëm Bruto.
Në këto kushte qytetarët shqiptarë detyrohen të paguajnë shuma të larta nga të ardhurat e tyre vetjake për të zgjidhur problemet e tyre shëndetësore jashtë mbulimit që ofrojnë skemat shëndetësore dhe slloganeve të shëndetësisë falas.








