Rreth 167 milionë euro do të depozitohen nga Ministria e Financave në Fondin e Veçantë të Pensioneve që është krijuar në Bankën e Shqipërisë, i cili do të jetë shtesë parave që i janë kushtuar të moshuarve nga buxheti i shtetit për vitin 2026. Paratë nga ky Fond do të përdoren për rritjen e pensioneve dhe bonuset.
Që prej krijimit të tij, synimi i Fondit ka qenë mbledhja e parave që nuk janë shpenzuar nga ministritë dhe institucionet publike nga buxheti i shtetit për vitin e kaluar.
Sipas Ministrisë së Financave, transferimi i këtyre tepricave të institucioneve publike në Fondin e Veçantë të Pensioneve në Bankën e Shqipërisë, do të përmirësojë sistemin e pensioneve, do të sigurojë qëndrueshmëri afatgjatë dhe menaxhim më të përgjegjshëm të financave publike.
Sipas Aktit Normativ të fundvitit, fondet e papërdorura të buxhetit kalojnë në llogarinë e mbështetjes së pensionistëve në Bankën e Shqipërisë dhe përdoren sipas përcaktimeve të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
Nga 1 janari 2026, mijëra pensionistë në vend të përfitojnë lekë shtesë mbi pensionin.
Masa synon të ndihmojë pensionistët me të ardhura të ulëta, duke rritur të ardhurat mujore për të përballuar më lehtë shpenzimet e jetesës. Pagesa jepet çdo muaj, bashkë me pensionin.
Pensionistët me vite të plota pune, që kanë pension deri në 40 mijë lekë, marrin një bonus prej 1 800 lekësh shtesë në muaj. Ndërkohë, pensionistët urbanë me pension të pjesshëm dhe të ardhura deri në 22 mijë lekë përfitojnë një bonus mujor prej 800 lekësh. Pensionistët ruralë, me të ardhura deri në 18 mijë lekë në muaj, do të marrin shpërblimin prej 1 mijë lekësh nga muaji i ardhshëm.








