Kombet e Bashkuara në Shqipëri shprehin shqetësim për aktet e fundit të dhunës dhe përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave në Tiranë, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të shmangin përplasjet dhe të angazhohen në dialog konstruktiv.
Në një deklaratë të publikuar më 16 tetor, OKB-ja thekson rëndësinë e respektimit të së drejtës për tubim paqësor, lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit. Organizata nënvizon gjithashtu nevojën për vetëpërmbajtje dhe proporcionalitet në veprimet e forcave të rendit, si dhe respektimin e procesit të rregullt ligjor.
Një tjetër çështje e vënë në fokus është mbrojtja e pronës publike dhe private, në kushtet e tensioneve dhe akteve të dhunës të regjistruara gjatë protestave të fundit në kryeqytet. OKB-ja u bën thirrje të gjitha palëve të kontribuojnë në uljen e tensioneve, të përmbahen nga dhuna dhe të zgjedhin dialogun si rrugë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Sipas organizatës, respektimi i paqes dhe i shtetit të së drejtës mbetet thelbësor në një situatë të tillë.










