Vitet e fundit, shtëpia nuk shihet më vetëm si nevojë bazë, por si hapësirë ku investohet vazhdimisht. Në të kaluarën, shumë shtëpi shqiptare ishin të mobiluara kryesisht për funksionalitet. Tani fokusi ka kaluar tek dizajni, ngjyrat, harmonizimi i elementeve dhe stili i përgjithshëm i shtëpisë.
“Scan Intel” ka marrë në analizë anketën e buxhetit të familjes për t’u ndalur pikërisht tek zëri “Mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e zakonshme e banesës”.
Sa shpenzojnë shqiptarët për mobilim dhe mirëmbajtje të shtëpisë?
Të dhënat tregojnë një ndryshim të dukshëm në peshën e shpenzimeve të familjeve shqiptare për mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje të zakonshme të banesës gjatë viteve. Nga viti 2007 deri në vitin 2017, ky tregues luhatej mes 4.8% dhe 5.9%, duke reflektuar një angazhim relativisht modest të familjeve në këtë kategori. Megjithatë, nga viti 2018 e më tej, shpenzimet për këtë sektor filluan të rriten ndjeshëm, duke arritur kulmin në 2020 me 6.9% dhe duke qëndruar mbi 6% edhe në vitet e mëvonshme.
Shifrat e fundit tregojne se në strukturën e shpenzimeve mujore, grupi “Mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e zakonshme e banesës” zë 6.8% të totalit. Duke marrë në konsideratë se shpenzimet mesatare mujore për konsum arritën në 93,042 lekë për një familje, rezulton se rreth 6,300 lekë në muaj shkojnë për mobilim dhe mirëmbajtje.
Në terma vjetorë, kjo do të thotë se një familje shqiptare shpenzon afërsisht 76 mijë lekë në vit.
Nëse llogarisim peshën e këtij grupi mbi totalin e shpenzimeve mujore në rang vendi, që sipas INSTAT arrijnë në rreth 70.4 miliardë lekë në muaj, rezulton se shqiptarët shpenzojnë afërsisht 4.8 miliardë lekë çdo muaj për mobilim dhe mirëmbajtje të banesës. Në vit, kjo shumë përkthehet në rreth 57 miliardë lekë.

Por çfarë përfshin kjo kategori sipas INSTAT?
Në këtë zë perfshihen krevate, sofa, divane, tavolina, karrige, bufe, komo dhe rafte librash, pajisjet e ndriçimit si abazhurë tavanesh, llampa standart, në formë globesh, dhe abazhurë komodinash. Të gjitha llojet e tekstileve për shtëpi, pajisje elektroshtëpiake, pajisje dhe vegla për kopshtin, tapete, riparimi i tyre, pagesa për kopshtar, guzhiniere, dado etj./Tv Scan











