Dita e parë e Panairit të Turizmit 2026, organizuar nga Iceberg Exhibitions, u shndërrua në një platformë të fuqishme takimi mes institucioneve, operatorëve turistikë, investitorëve dhe përfaqësuesve rajonalë, me një mesazh të qartë: koordinim më i fortë dhe vizion afatgjatë për ta kthyer turizmin në motor të qëndrueshëm zhvillimi.
Ceremonia zyrtare e hapjes u nis në një atmosferë energjike dhe optimiste, ku fjala kyçe që dominoi ishte “bashkëpunimi”. CEO e Iceberg Exhibitions, Enejda Sheku, theksoi rëndësinë e krijimit të një platforme të përvitshme që lidh aktorët kryesorë të industrisë. “Ky panair nuk është thjesht një ekspozitë. Është një hapësirë ku ndërtohen ura bashkëpunimi, ku idetë marrin formë dhe ku sektori flet në një zë të përbashkët,” u shpreh ajo.
Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, nënvizoi se ky është momenti për të forcuar dialogun mes sektorit privat dhe institucioneve. “Turizmi shqiptar ka bërë hapa të mëdhenj, por për të ecur përpara na duhet më shumë bashkërendim, më shumë profesionalizëm dhe politika që mbështesin sipërmarrjen,” tha Kasa, duke shtuar se panaire të tilla krijojnë mundësi konkrete për partneritete dhe kontrata të reja.
Në të njëjtën linjë, Baki Hoti, Kryetar i Unionit të Turizmit të Kosovës, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar. “Rajoni ynë duhet të prezantohet si një destinacion i përbashkët.” u shpreh ai.
Nga ana institucionale, Blendi Goxhaj, Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, e cilësoi panairin si një dëshmi të pjekurisë së sektorit, duke theksuar se turizmi mbetet prioritet kombëtar. Ai nënvizoi se investimet në infrastrukturë, promovim dhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve do të vijojnë, ndërsa shtoi se suksesi mund të arrihet vetëm nëse sektori publik dhe ai privat ecin në të njëjtin drejtim.
Ceremonia e hapjes u shoqërua edhe me një performancë artistike nga Albanian Night, e cila solli elementë të traditës dhe kulturës shqiptare, dëshmi e pasurisë sonë jomateriale e cila është në të njëjtën kohë tregon identitet dhe përbën atraksion për cdo turist.
Panairi i Turizmit 2026 është më shumë sesa një momentum i ofertës turistike shqiptare. Ai është si një moment reflektimi dhe projeksioni për të ardhmen. Viti 2025 u konsiderua pozitiv për nga fluksi i vizitorëve dhe të ardhurat, por pritshmëritë ishin edhe më të larta. Sektori tashmë ndodhet në një fazë ku nuk mjafton vetëm rritja numerike, kërkohet cilësi, standard, përvojë dhe ndërtimi i një tradite të fortë në mikpritje, hoteleri dhe shërbime turistike. Jemi përballë atij momenti ku duhet të kalojmë nga entuziazmi sezonal në një strategji afatgjatë që e konsolidon Shqipërinë dhe rajonin si destinacione të qëndrueshme dhe konkurruese në hartën europiane të turizmit./Business Mag








