Shqipëria rrezikon “të shuhet”. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se vitin e kaluar, niveli i lindjeve pësoi një tjetër rënie të fortë. Sipas INSTAT, në tremujorin e katërt 2025 numri i lindjeve rezultoi 5.373, duke shënuar një rënie me 10,7 %, kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Ndërsa për të gjithë vitin 2025, numri total i lindjeve zbriti në 21.425, duke shënuar një rënie prej 8.1% krahasuar me 2024-ën.

Në tremujorin e katërt të vitit që u mbyll, shtatë qarqe të vendit regjistrojnë shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në pesë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative.
Në këtë periudhë, qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 1.547 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Fieri, me 120 vdekje më shumë sesa lindje.
Ndërsa për të gjtihë vitin 2025, rënia më e ndjeshme e lindjeve është shënuar në qarkun e Dibrës, i cili kryeson listën me rënien më të madhe në rang kombëtar prej 20.4%, duke zbritur nga 1,095 lindje në 2024 në vetëm 872 në 2025. Pas saj vjen Korça, një qark që po përballet me një tkurrje drastike prej 18.5%, duke regjistruar 218 lindje më pak se në vitin 2024. Këto shifra sugjerojnë një zbrazje të vazhdueshme të këtyre rajoneve nga mosha riprodhuese, duke vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë sociale në afatgjatë.









