NGA AKADEMIK. PROF. DR. ANASTAS ANGJELI
Fjalimi i ditëve të fundit i Mario Draghit, mbajtur gjatë një ligjërate në Universitetin e Leuvenit, mbi të ardhmen e Bashkimit Evropian, nuk ka kaluar pa tërhequr vëmendjen e politikëbërësve evropianë, ekspertëve, mediave etj.. Kjo sepse Draghi përmendi pikërisht këto fjalë: “Fuqia kërkon që Evropa të kalojë nga konfederata në federatë”. Gjatë ligjëratës së tij, ai bëri thirrje të drejtpërdrejtë për krijimin e “Shteteve e Bashkuara të Evropës”, një vizion i shumëpërmendur përgjatë historisë së Komuniteteve Evropiane dhe në vazhdim të Bashkimit Evropian.
Draghi paralajmëroi se përballë ndryshimeve të rendit botëror, kalimi drejt një rendi të ri “nuk do të jetë i lehtë për Evropën” nëse nacionalizmi dhe sovraniteti, si parime organizuese politike, nuk rishikohen. Ndërhyrja e tij vjen në një moment kritik, përpara takimit informal të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së më 12 shkurt, ku ai është ftuar, së bashku me ish-kryeministrin italian Enrico Letta, për të bërë një vlerësim të situatës strategjike të Evropës. Mesazhi i tij ishte i qartë, trajektorja aktuale e Evropës nuk është e mjaftueshme për sfidat me të cilat ajo përballet.
Argumenti i Draghit nuk mbështetet vetëm në ideale abstrakte apo në thirrje simbolike për unitet evropian, por pasqyron një konsensus në rritje midis politikëbërësve, ekonomistëve dhe liderëve politikë se modeli aktual institucional i BE-së, (model që mund të jetë efektiv në shumë fusha ekonomike, por duket i fragmentuar në fusha strategjike) nuk përputhet më me realitetin e një sistemi ndërkombëtar gjithnjë e më konkurrues dhe të paqëndrueshëm.
Në thelb të paralajmërimit të tij qëndron një problem strukturor. Bashkimi Evropian ende funksionon kryesisht si një konfederatë, pra si një bashkim shtetesh sovrane që bashkëpunojnë, por ruajnë autoritetin vendimtar mbi fusha kyçe si mbrojtja, politika e jashtme, taksimi dhe pjesë të rëndësishme të politikës industriale. Ky model ka lejuar që integrimi të përparojë gradualisht, duke ruajtur sovranitetin kombëtar dhe duke nxitur bashkëpunimin ekonomik. Por nga ana tjetër, ai ka krijuar shumë kufizime. Në momente krize ose përballë konkurrencës gjeopolitike, vendimmarrja e fragmentuar e ngadalëson reagimin e Evropës dhe dobëson ndikimin e saj strategjik.
BE NË NJË AMBIENT NDËRKOMBËTAR GJITHNJË E MË SFIDUES
Për dekada pas Luftës së Ftohtë, Evropa funksionoi në një mjedis ndërkombëtar relativisht të qëndrueshëm, të mbështetur në garancitë e sigurisë nga Shtetet e Bashkuara dhe në një ekonomi globale në zgjerim. Ky mjedis duket se sot po ndryshon me shpejtësi. Lufta në Ukrainë ka rikthyer konfliktin ushtarak në kontinentin evropian, ndërsa rivaliteti midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës ka përshpejtuar ndryshimet gjeoekonomike, fragmentimin e tregtisë dhe teknologjisë globale. Edhe marrëdhënia e Evropës me Shtetet e Bashkuara, historikisht aleati i saj më i afërt, ka hyrë në një fazë disi më komplekse. Mosmarrëveshjet tregtare, konkurrenca industriale dhe prioritetet e ndryshme politike në Uashington kanë nënvizuar një realitet që po pranohet gjithnjë e më shumë në kryeqytetet evropiane. Shtetet e Bashkuara duket se do të vazhdojnë të ndjekin interesat e tyre strategjike dhe ekonomike (Amerika e Para) edhe kur këto nuk përputhen plotësisht me ato të Evropës.
Në të njëjtën kohë, ngritja e Kinës ka riformësuar zinxhirët globalë të furnizimit dhe konkurrencën industriale. Evropa mbetet e varur nga furnizues të jashtëm për lëndë të para kritike, teknologji të avancuara dhe komponentë industrialë thelbësorë për tranzicionin energjetik dhe bazën e saj industriale. Përpjekjet për të reduktuar këto varësi kanë pasur deri tani rezultate të kufizuara, duke nxjerrë në pah cenueshmërinë e Evropës në sektorë kyç për të ardhmen e saj ekonomike dhe teknologjike. Në këtë kontekst, fragmentimi vështirë se mund të konsiderohet më thjesht një kufizim institucional. Ai përbën një dobësi gjeopolitike. Shtetet evropiane, individualisht, nuk kanë arritur shkallën e nevojshme për të konkurruar në mënyrë efektive me fuqi kontinentale si Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Kina. Sidoqoftë, duke vepruar së bashku, Bashkimi Evropian përfaqëson një fuqi ekonomike të krahasueshme me ekonomitë më të mëdha të botës.
Pyetja thelbësore është nëse struktura e tij politike dhe institucionale i lejon të përdorë këtë potencial në mënyrë efektive. Përtej gjeopolitikës, ndërhyrja e Draghit pasqyron shqetësime në rritje për performancën ekonomike të Evropës. Gjatë dy dekadave të fundit, rritja e produktivitetit në Evropë ka qenë më e ulët se ajo e Shteteve të Bashkuara, ndërsa kompanitë evropiane kanë hasur vështirësi për t’u zgjeruar dhe konkurruar globalisht në sektorë strategjikë si teknologjia digjitale, inteligjenca artificiale apo prodhimi i avancuar.
Një nga arsyet kryesore lidhet me natyrën e paplotë të tregut të përbashkët evropian. Ndërsa mallrat qarkullojnë relativisht lirshëm, pengesa relative mbeten në shërbime, tregjet e kapitalit, energji dhe rregullimin digjital. Këto pengesa kufizojnë efikasitetin, dekurajojnë investimet ndërkufitare dhe pengojnë kompanitë evropiane të arrijnë shkallën e nevojshme për të konkurruar globalisht. Ndërkaq, fragmentimi financiar është veçanërisht i rëndësishëm. Evropa disponon kursime të konsiderueshme, por këto burime nuk mobilizohen gjithmonë në mënyrë efektive për të mbështetur inovacionin dhe zgjerimin industrial evropian.
Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, që operojnë brenda një tregu të unifikuar kapitali, sistemi financiar evropian mbetet kryesisht i ndarë sipas linjave kombëtare, duke kufizuar aksesin në financim për kompanitë që kërkojnë të zgjerohen përtej tregjeve të tyre vendase. Institucionet evropiane kanë theksuar vazhdimisht se integrimi më i thellë (veçanërisht në tregjet e kapitalit, energjisë dhe politikës industriale), do të forconte investimet dhe do të rriste produktivitetin dhe rritjen ekonomike. Me fjalë të tjera, integrimi nuk është thjesht një projekt politik, por një strategji ekonomike për të ruajtur konkurrueshmërinë e Evropës në një ekonomi globale në transformim. Zhvillimet e fundit gjeopolitike kanë forcuar më tej lidhjen midis politikës ekonomike dhe sigurisë. Varësia e Evropës nga furnizues të jashtëm për lëndë të para kritike, gjysmëpërçues dhe infrastrukturë energjetike ka nxjerrë në pah cenueshmëri që ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e saj industriale dhe teknologjike.
Përpjekjet për të forcuar qëndrueshmërinë ekonomike të Evropës përfshijnë investime të koordinuara, politika industriale të përbashkëta dhe diversifikim të zinxhirëve të furnizimit. Këto iniciativa synojnë të reduktojnë varësitë strukturore dhe të rrisin kapacitetin e Evropës për të vepruar në mënyrë të pavarur, kur është e nevojshme. Megjithatë, këto politika kërkojnë shkallë dhe koordinim që shtetet individuale nuk mund t’i arrijnë lehtësisht vetëm. Autonomia strategjike nuk nënkupton izolim nga ekonomia globale por aftësi për të mbrojtur interesat evropiane dhe për të reduktuar cenueshmëritë në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më të pasigurt. Megjithatë, thellimi i integrimit vazhdon të përballet me një pengesë të rëndësishme institucionale, me sistemin e vendimmarrjes së BE-së.
Shumë vendime kyçe kërkojnë ende unanimitet, duke i dhënë çdo shteti anëtar mundësinë për të bllokuar veprimet kolektive. Ky sistem pasqyron origjinën e BE-së si një bashkim shtetesh sovrane, por njëkohësisht kufizon aftësinë e saj për të reaguar me shpejtësi dhe efektivitet ndaj sfidave globale. Ndërsa Bashkimi Evropian konsideron zgjerimin e mëtejshëm, këto sfida institucionale pritet të bëhen edhe më të theksuara. Reformat që synojnë zgjerimin e vendimmarrjes me shumicë të cilësuar synojnë të rrisin kapacitetin e Evropës për të vepruar në mënyrë më efektive, duke ruajtur njëkohësisht legjitimitetin demokratik.
ZGJEDHJA STRATEGJIKE E EVROPËS
Ajo që e dallon ndërhyrjen e Draghit është qasja e tij pragmatike. Si një teknokrat i pastër, Draghi nuk e paraqet integrimin si një ideal ideologjik, por si një domosdoshmëri strategjike. Në një botë të dominuar nga blloqe të mëdha politike dhe ekonomike, shkalla përcakton ndikimin. Fragmentimi redukton fuqinë, ndërsa integrimi e rrit atë. Bashkimi Evropian tashmë e demonstron këtë realitet në fushat ku vepron në mënyrë të bashkuar. Politika e tij tregtare, standardet rregullatore dhe tregu i përbashkët i japin Evropës një ndikim të rëndësishëm global.
Debati i nxitur nga fjalimi i Draghit pasqyron një dilemë më të thellë strategjike për Evropën. Çështja nuk është nëse integrimi do të vazhdojë, por nëse ai do të thellohet mjaftueshëm për t’i lejuar Evropës të ruajë fuqinë dhe ndikimin e saj në botë. Forcat që shtyjnë drejt integrimit janë strukturore, jo ideologjike. Në një sistem ndërkombëtar gjithnjë e më konkurrues, aftësia e Evropës për të mbrojtur interesat e saj ekonomike, për të garantuar sigurinë dhe për të ndikuar zhvillimet globale mund të varet nga gatishmëria e saj për të vepruar jo vetëm si një bashkim shtetesh, por si një aktor politik dhe strategjik i unifikuar.
Thirrja e Mario Draghit për “Shtetet e Bashkuara të Evropës” nuk është thjesht një vizion për të ardhmen. Ajo është një reflektim i së tashmes, një paralajmërim se vendi i Evropës në botë do të përcaktohet nga vendimet që ajo merr sot.







