Poeti i mirënjohur kosovar Lulzim Tafa, në muajin mars të vitit të kaluar, i ka dhënë një intervistë të gjatë për letërsi gazetës kryesore në Venezuelë, El Nacional, e njohur për qëndrimin e saj kundër regjimit të Chávezit dhe Maduros. Tafa, para pak kohësh është botuar në gjuhën spanjolle në Paraguai dhe gëzon një reputacion të madh në Ameriknën Latine.
Poeti i mirënjohur kosovar Lulzim Tafa, në muajin mars të vitit të kaluar, i ka dhënë një intervistë të gjatë për letërsi gazetës kryesore në Venezuelë, El Nacional, e njohur për qëndrimin e saj kundër regjimit të Chávezit dhe Maduros. Tafa, para pak kohësh është botuar në gjuhën spanjolle në Paraguai dhe gëzon një reputacion të madh në Ameriknën Latine.
Me vendim të Këshillit Bashkiak të Asunción-it, kryeqytetit të Paraguait, Tafa është i ftuari i nderit i kryeqytetit, ku do të nderohet me titullin e qytetarit të nderit të kryeqytetit, për artin e tij në shërbim të paqes.
Ndonëse shumica e pyetjeve ishin për letërsi, megjithatë Tafa ishte pyetur edhe për imazhin e Maduros në Evropë. Kjo ishte përgjigjja e Lulzim Tafës, të cilën po e japim në tërësi.

El Nacional:”Cili është imazhi i Nicolás Maduro në Evropë?”
E kam thënë edhe më parë, dhe e kanë thënë edhe shkrimtarë të tjerë, se letërsia zakonisht nuk ndërhyn në punët e politikës dhe të shtetit. Megjithatë, ka raste kur letërsia flet dhe duhet të thotë fjalën e saj, veçanërisht kur janë në rrezik çështje të rëndësishme si të drejtat themelore të njeriut, ose kur cënohet demokracia e një vendi dhe e popullit të tij.
Nga ajo që shoh dhe lexoj çdo ditë, Nicolás Maduro shihet shumë negativisht në Evropë, dhe këtë perceptim e shpjegojnë disa arsye të qarta. Shumë udhëheqës evropianë nuk e konsiderojnë qeverinë e tij të legjitimuar nga një proces demokratik. Ata besojnë se rezultatet e zgjedhjeve nën udhëheqjen e tij nuk ishin as të lira, as të drejta, dhe nuk pasqyrojnë vullnetin e vërtetë të popullit venezuelas.
Unë jam poet, me përgatitje profesionale të juristit dhe për këtë arsye kam mësuar shumë herët themelet teorike të demokracisë. Për fat të keq, nuk e përjetova këtë demokraci si i ri, pasi vendi im kaloi një periudhë të vështirë komunizmi dhe më pas edhe të robërisë. Për këtë arsye ndihem i detyruar të flas për këtë temë. Mund ta them me përgjegjësi të plotë se një ditë e kaluar nëndiktaturë është si një ditë e kaluar në ferr.
Zgjedhjet në Venezuelë kanë prodhuar rezultate të kontestueshme, dhe dihet se rezultatet e kontestueshme çojnë në qeveri të kontestueshme. Kjo është arsyeja pse Maduro kontestohet nga bashkësia ndërkombëtare, andaj, është e rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar të angazhohet sa më shpejt për të mbajtur zgjedhje të lira dhe demokratike, pasi zgjedhjet e lira janë një nga shtyllat kryesore të demokracisë.
Kam lexuar një shkrim të Miguel Henrique Oteros dhe jam pajtuar me argumentet e tij: “Me ardhjen në pushtet të Chávez… ndryshuan tre gjëra. Njëra ishte përdorimi i strategjive pseudo-demokratike të shoqëruara me dhunë, si simulimi i proceseve zgjedhore dhe shkatërrimi i institucioneve si gjyqësori. Tjetra ishte transformimi i forcave të armatosura në një parti ushtarake, e përqendruar në shtypjen dhe parandalimin e ushtrimit të lirë të mospajtimit dhe të drejtave politike të qytetarëve.
E treta ishte zbehja e vijave ndarëse midis ligjshmërisë dhe paligjshmërisë. Kontributi i tij kryesor në politikën e Amerikës Latine, përfshiu trafikun e drogës, bandat kriminale, paramilitarizmin, korrupsionin e përhapur, trafikimin e mallrave, pastrimin e parave, etj. Shkurt: ai bëri krimin e organizuar një nga themelet e kontrollit shoqëror, shtypjes dhe krijimit të një atmosfere frike në shoqëri.”
Siç e dini, Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj pjesëve të administratës shtetërore të Venezuelës. Unë besoj, dhe gjithmonë kam besuar, në vlerat mbi të cilat është themeluar BE-ja. Prandaj, Evropa e sheh qeverinë e Maduros si jodemokratike, dhe kritikat e BE-së lidhen jo vetëm me politikën, por edhe me vlerat themelore si demokracia, liria dhe dinjiteti njerëzor.







