Kërkesa për kredi nga qytetarët dhe bizneset pritet të mbetet e lartë edhe në këtë fillimviti. Kjo si për huanë për bletje banesash, ashtu edhe për atë konsumatore dhe për investime. Sipas Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues të Bankës së Shqipërisë, edhe bankat do t’I përgjigjen kësaj kërkese, por për segmente të caktuara do të aplikohen kushte më të lehtësuara.
“Përqasja e bankave në kreditimin e bizneseve dhe individëve në tremujorin e parë të vitit 2026 pritet të mbetet thuajse e pandryshuar me atë të tremujorit të fundit. Standardet e kreditimit, sipas gjykimit të bankave, nuk pritet të ndryshojnë për kreditë ndaj biznesit të madh, për mbulimin e nevojave për likuiditete dhe për financimin e investimeve, si edhe për kreditë në blerjen e banesave.
Për kreditë e lëvruara ndaj biznesit të vogël e të mesëm dhe kreditë konsumatore bankat presin të aplikojnë politika më lehtësuese kreditimi. Kërkesa për kredi e bizneseve pritet të mbetet e lartë në financimin e investimeve dhe më e ulët për likuiditete. Nga ana tjetër, kërkesa për kredi e individëve pritet të jetë më e lartë, si në blerjen e banesave ashtu edhe në financimin e konsumit”, vlerëson BSH.








