Nga Fatos Çoçoli
Për dekada me rradhë, energjia elektrike nga hidrocentralet ka qenë një prej krenarive kombëtare tonat. Në një kohë kur shumë vende ndotnin mjedisin me qymyr e naftë, ne prodhonim dritën nga fuqia e lumenjve tanë malorë, nga malet dhe kaskadat.
Por ajo që dikur ishte një përparësi e jashtëzakonshme mjedisore, sot është shndërruar në një varësi të rrezikshme ekonomike për ne. Në një vit me reshje të shumta, ne eksportojmë energji dhe ndjejmë suksesin. Në një vit të thatë(dhe të tillë kemi patur plot vitet e fundit), importojmë me dhjetra miliona euro energji me çmime të kripura dhe ndjejmë goditjen në Buxhetin e Shtetit dhe në ekonominë kombëtare. Kjo është arsyeja pse ulja e varësisë nga hidrocentralet sot është domosdoshmëri.
Sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), në vitin 2020 Shqipëria prodhoi rreth 7.9 teravat/orë (një teravat=1 mijë megavat MW) energji elektrike, nga të cilat mbi 99.5% vinin nga hidrocentralet. Vetëm një pjesë simbolike, më pak se 0.5%, vinte nga energjia diellore, nga panelet fotovoltaike.
Shtatë vite më parë, në vitin 2019, Ministria jonë e Energjisë dhe e Infrastrukturës përgatiti një strategji të bazuar mbi ndryshueshmërinë, mbi diversifikimin e burimeve energjitike të vendit. Jo më varësi nga hidrocentralet e ndërtuara gjatë kaskadës së Drinit, apo edhe ato të Jugut, pavarësisht se tashmë jo të gjitha i përkasin korpusit të hidrocentraleve shtetërore.
Foli me kurajo për një skemë të re, e cila do të bazohej në krijimin e burimeve alternative, siç ishin ato të energjisë diellore dhe më pas edhe të erës. Dhe punoi për këtë.
20 herë më shumë energji nga dielli në vetëm 6 vjet!
Gjashtë vite më vonë, tabloja ka ndryshuar ndjeshëm. Deri në fund të vitit 2025, kapaciteti i instaluar i energjisë fotovoltaike në Shqipëri ka arritur rreth 900 megavat (MW), nga vetëm 40 MW në vitin 2020, ose mbi 20 herë. Ky është ndryshimi radikal që po ndodh. Një transformim i heshtur, por historik. Nëse në 2020, energjia diellore kishte një rol simbolik, në 2025 ajo është bërë tashmë një shtyllë e re e sistemit energjetik të vendit, me 12 përqind të prodhimit kombëtar.
Ky ndryshim nuk ka ardhur rastësisht. Ai është rezultat i disa politikave të qëndrueshme, të ndërmarra nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës, të tilla si liberalizimi i tregut të energjisë dhe krijimi i mundësive për investime private, tërheqja e kapitalit të huaj, përmes partneriteteve publike dhe ankandeve transparente për parqet diellore dhe të erës, si dhe lehtësi fiskale për panelet fotovoltaike, sidomos për bizneset e vogla dhe bujqësinë.
Kalimi nga energjia e ujit drejt asaj diellore sjell disa avantazhe strategjike për Shqipërinë. Në rradhë të parë, kemi ulje të varësisë klimatike, duke siguruar prodhim të qendrueshëm edhe në periudha thatësie.
Së dyti, kemi rritje të sigurisë energjetike, pasi vendi prodhon më shumë energji nga burime të ndryshme.
Së treti, kemi përmbushje të objektivave të gjelbër, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare për reduktimin e emetimeve të karbonit.
Dhe së katërti, kemi hapje të mundësive për eksport energjie të gjelbër drejt vendeve të rajonit, sidomos drejt Italisë, me kabllin energjitik nënujor.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës i dha tre ditë më parë çertifikatën e ndërtimit të Parkut Eolik të Tropojës kompanisë amerikane CWP Global. Ky investim në vlerë disa qindra milionë dollarë amerikanë është i rëndësishëm për vendin tonë. Ai shton fort kapacitetin e prodhimit të energjisë së gjelbër në vend. Nga ana tjetër, forcon praninë e kapitalit amerikan tek ne.

Kompania CWP grumbulloi informacione dhe pati kontakte për dy vjet tek ne, përpara se sa të ndërmerrte hapin përfundimtar, duke i besuar qeverisë shqiptare. E themeluar në vitin 2007, kompania amerikane CWP Global, me një vëllim punësh prej 15 miliardë USD vitin e kaluar, ka investuar bindshëm në parqet e erës në Evropën Juglindore, duke ndërtuar parkun e parë të erës në Serbi (Čibuk 1, 158 MW) dhe parkun më të madh të erës në tokë në Evropë (Fantanele-Cogealac, 600 MW).
Kjo kompani ka zhvilluar portofolin më të madh të energjisë së rinovueshme në Australi, duke zhvilluar mbi 1.5 GW(gigavat është një mijë megavat-MW) projekte, përpara se t’ia shiste Squadron Energy për 4 miliardë dollarë në vitin 2022.
Filiali i saj CWP Evropë po vijon të ndërtojë portofolin më të madh të energjisë së lidhur me rrjetin në Evropën Juglindore, në 10 vende, si në Serbi, Bullgari, Rumani, Mal të Zi, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Kroaci, Moldavi dhe Ukrainë, me 938 MW të ndërtuara ose në ndërtim e sipër, si dhe me 4 miliardë euro financim.
Parkun e dytë eolik më të madh të Evropës, me kapacitet po 600 MW(praktikisht më shumë se dy hidrocentrale të Vaut të Dejës), kompania synon ta ndërtojë brënda 12 muajsh në Tropojë. Po sa është vlera e këtij investimi?
Sipas portalit të njohur SEE News(në shqip, “Lajme nga Evropa JugPerëndimore”)( https://seenews.com/news/cwps-1-1-bln-euro-green-projects-in-albania-montenegro-get-eu-backing-1283208) , Kompania CWP Europë ka nënshkruar një deklaratë të përbashkët mbështetjeje me Komisionin Evropian, Agjencinë e Zhvillimit të Investimeve të Shqipërisë (AIDA) dhe Agjencinë e Promovimit të Investimeve të Malit të Zi, për dy projekte të mëdha të energjisë së pastër në Ballkanin Perëndimor, me vlerë më shumë se 1.1 miliardë euro (1.3 miliardë dollarë).
Marrëveshja, e nënshkruar gjatë Forumit të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë po në tetor 2025, përfshin parkun e ardhshëm të energjisë eolike prej 600 MW të CWP në Tropojë dhe projektin e sistemit të ruajtjes së energjisë diellore dhe të baterive (BESS) prej 400 MW, në jugperëndim të Malit të Zi. Duke patur parasysh se të dyja projektet kanë vlerën 1.1 miliardë euro, kuptohet se Parku Eolik i Tropojës ka një vlerë me qindra milionë euro.
xx
Nëse dikur krenaria jonë ishte drita e prodhuar nga uji, sot krenaria jonë duhet të jetë drita e prodhuar nga dielli, era dhe teknologjia. Në vend të digave të reja që ndryshojnë lumenjtë, sot po ndërtojmë panele diellore dhe mullinj modernë ere, që ruajnë natyrën dhe shfrytëzojnë fuqitë e saj të pashtershme: diellin dhe erën. Në vend të impianteve që varen nga reshjet, Ministria e Energjitikës dhe Infrastrukturës po ndihmon të krijojmë rrjete të zgjuara, që ruajnë dhe shpërndajnë energjinë me efiçiencë.







