Cikli i ndërtimit, me ulje-ngritjet e tij, veç të tjerash, mund të shndërrohet në një burim të konsiderueshëm rreziku për qëndrueshmërinë financiare të bashkive.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave për periudhën janar–shtator 2025, njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë arkëtuar 28.8 miliardë lekë të ardhura tatimore, ose rreth 7% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Në total, për vitin 2025 janë planifikuar 40.8 miliardë lekë të ardhura vendore, ndërsa deri në fund të 9-mujorit është realizuar rreth 71% e planit vjetor. Brenda kësaj shume, taksat lokale mbeten burimi kryesor, duke zënë 77.4% të të ardhurave tatimore.
Megjithatë, struktura e këtyre të ardhurave tregon një varësi të fortë nga ndërtimi. “Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja” ka pësuar një ulje prej rreth 3.5 miliardë lekësh në nivel kombëtar, në 9-mujor, krahasuar me vitin e kaluar.
Goditja më e madhe është regjistruar në Bashkinë e Tiranës, ku të ardhurat nga kjo taksë janë 6.2 miliardë lekë më pak se në 9-mujorin e vitit 2024. Të ardhurat e munguara nga lejet e ndërtimit zënë 30.3% të të ardhurave të veta në për bashkinë e Kryeqytetit në buxhetin e këtij viti.
Në të kundërt, zërat e tjerë të taksave lokale kanë shënuar rritje të lehtë, ndërsa taksa mbi pasurinë është realizuar në 75% të planit vjetor.
Gjatë vitit 2024, burimi me peshën më të madhe në të ardhurat e veta vendore ishte taksa e ndikimit mbi infrastrukturë, rreth 18.5 miliardë lekë dhe që zuri 42% e të ardhurave të veta vendore. Pavarësisht se në nivel agregat ky burim është më i rëndësishmi për pushtetin vendor, në nivel njësie rreth 77.4% e mbledh vetëm Bashkia Tiranë.
Ekspertët theksojnë se ngadalësimi i ndërtimit po shfaqet si rrezik fiskal për bashkitë, të cilat mbështeten kryesisht në të ardhurat nga ky sektor për të ruajtur ekuilibrin buxhetor.
Sipas analizës së të dhënave, autonomia fiskale e pushtetit vendor mbetet ende e kufizuar, ndërsa përballueshmëria afatgjatë e financave vendore varet nga krijimi i burimeve më të qëndrueshme si taksa mbi pasurinë, tarifat e shërbimeve dhe zhvillimi ekonomik lokal.
Çdo ngadalësim në ndërtim, përveç efekteve në rritjen ekonomike të vendit dhe në punësim do të ndikojë negativisht te ardhurat e bashkive që janë të varura nga ky tatim dhe sidomos në Bashkinë e Tiranës dhe ato bregdetare ku intensiteti i ndërtimit është më i lartë. / Monitor






