• Home
  • Biznes
  • Finance
  • Analizë
  • Teknologji
  • Logo LIGJET E BIZNESIT
  • Barazia Gjinore
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar
Nuk ka rezultat
View All Result
  • Home
  • Biznes
  • Finance
  • Analizë
  • Teknologji
  • Logo LIGJET E BIZNESIT
  • Barazia Gjinore
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar
Nuk ka rezultat
View All Result
Nuk ka rezultat
View All Result
  • Logo LIGJET E BIZNESIT


Fillimi Analizë

Siguria ekonomike në epokën e sotme

nga Fast News
6 hours më parë
në Analizë
0
Siguria ekonomike në epokën e sotme

Anastas Angjeli

152
SHPERNDAJ
1.9k
Klikime
Share on FacebookShare on Twitter

NGA AKADEMIK. PROF.DR. ANASTAS ANGJELI 

Në dekadën e fundit, kon cepti i sigurisë ekonomike ka fituar një rëndësi të jashtëzakonshme në skenën globale dhe rajonale. Pandemia e COVID-19 dhe lufta në Ukrainë kanë treguar se ekonomia, politika dhe siguria janë të pandashme. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria dhe Kosova, këto zhvillime kanë nxjerrë në pah dobësitë e sistemeve ekonomike dhe nevojën për politika strategjike që garantojnë qëndrueshmëri, pavarësi dhe stabilitet.

Në një epokë ku globalizimi, teknologjia dhe ndryshimet klimatike janë faktorë të përhershëm të pasigurisë, siguria ekonomike ka kaluar nga një koncept teorik në një domosdoshmëri praktike për çdo vend që synon zhvillim të qëndrueshëm dhe stabilitet social.

Siguria ekonomike sot nuk është vetëm mbrojtje nga kolapsi financiar apo luhatjet e tregjeve. Ajo përfshin një gamë të gjerë elementesh që lidhen me stabilitetin financiar, pavarësinë energjetike, menaxhimin e burimeve strategjike, zhvillimin e kapitalit njerëzor, sigurinë digjitale dhe aftësinë për të përballuar pasiguri të jashtme.

Aftësia e një vendi për të garantuar furnizime të qëndrueshme me energji, ushqim, teknologji dhe burime të tjera strategjike është bërë një tregues kyç i stabilitetit dhe autonomisë së tij. Psh., në aspektin financiar, Shqipëria dhe Kosova kanë bërë përpjekje të dukshme për të ruajtur stabilitetin e sistemeve bankare dhe për të mbështetur ekonominë reale. Në Shqipëri, normat e kredive problematike kanë rënë nga 16% në vitin 2020 në rreth 9% në vitin 2024 dhe tashmë rreth 5%, sipas Bankës së Shqipërisë.

Ky tregues dëshmon se sistemi bankar ka arritur të përballojë tronditjet globale dhe të ofrojë një mbështetje të qëndrueshme për ekonominë reale. Në Kosovë, bankat tregtare kanë rritur kredinë për bizneset e vogla dhe të mesme rreth 12% pas vitit 2020, duke treguar një fokus të qartë në forcimin e sektorit të biznesit dhe në sigurimin e stabilitetit ekonomik. Këto shembuj ilustrojnë se stabiliteti financiar është një komponent kyç i sigurisë ekonomike dhe një mburojë kundër pasigurive globale. Një tjetër dimension i sigurisë ekonomike lidhet me energjinë dhe burimet strategjike.

Lufta në Ukrainë ka nxjerrë në pah varësinë e Evropës nga gazi rus dhe ka detyruar vendet e rajonit të rimendojnë strategjitë energjetike. Shqipëria ka nisur investime të rëndësishme në energji të rinovueshme, duke synuar rritjen e prodhimit të energjisë nga burimet hidrike dhe diellore. Kosova po zhvillon projekte për të rritur kapacitetin e termocentraleve dhe për të diversifikuar furnizimin me energji, duke u përpjekur të shmangë varësinë nga importet dhe pasigurinë që lidhet me tregjet ndërkombëtare. Rajoni e ka kuptuar se siguria ekonomike nuk mund të arrihet pa aftësinë për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe pa mekanizma që parandalojnë goditjet e jashtme.

Transformimi i tregut të punës dhe zhvillimet teknologjike janë sfida të tjera që lidhen ngushtë me sigurinë ekonomike. Automatizimi dhe Inteligjenca Artificiale po ndryshojnë rrënjësisht strukturën e punës dhe kërkesën për aftësi të reja.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore dhe INSTAT, rreth 25% e vendeve të punës në Shqipëri konsiderohen të rrezikuara nga automatizimi gjatë 10 viteve të ardhshme, ndërsa në Kosovë ky tregues shkon deri në 28% për profesionet me intensitet të lartë manual dhe rutinor. Profesione që dikur konsideroheshin të qëndrueshme, si punonjës të prodhimit, fasonerisë apo tregtarë e vegjël po zhduken gradualisht, ndërsa lindin të reja që kërkojnë aftësi teknologjike, digjitale dhe të menaxhimit të informacionit.

Sektori i IT në Shqipëri ka krijuar rreth 15,000 vende pune gjatë pesë viteve të fundit, duke shënuar një rritje prej rreth 40% në raport me periudhën 2015–2019, ndërsa në Kosovë sektori digjital ka shtuar mbi 8,500 vende pune të reja, duke përbërë rreth 3.5% të totalit të punësimit të vendit, sipas raporteve të Ministrisë së Inovacionit dhe Investimeve.

Këto shifra tregojnë qartë se tregu i punës po zhvendoset drejt profesionistëve të specializuar në teknologji dhe inovacion, duke bërë që politika e arsimit dhe kualifikimit profesional të jetë pjesë e domosdoshme e strategjisë së sigurisë ekonomike. Në Shqipëri, sektori i IT dhe start-up-eve ka krijuar rreth 15,000 vende pune në 5 vitet e fundit, duke treguar se inovacioni dhe zhvillimi i aftësive janë thelbësorë për sigurimin e qëndrueshmërisë ekonomike.

Në Kosovë, programet e edukimit profesional dhe teknologjik, të mbështetura nga investimet ndërkombëtare po formojnë një bazë të qëndrueshme të talenteve, duke rritur kapacitetet lokale për sektorin digjital dhe duke kontribuar në stabilitetin ekonomik dhe social.

Investimet strategjike ndërkombëtare kanë një rol kyç në forcimin e sigurisë ekonomike. Baza ushtarake amerikane në Kosovë mbështetet nga mbi 120 biznese lokale që ofrojnë shërbime dhe produkte, duke krijuar stabilitet ekonomik, punësim dhe zhvillim për komunitetet përreth.

Psh., investimi amerikano-japonez në Madagaskar, i fokusuar në infrastrukturë dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, tregon se bashkëpunimi ndërkombëtar mund të reduktojë rreziqet globale dhe të forcojë kapacitetet ekonomike të vendeve të vogla. Këto shembuj demonstrojnë qartësisht se siguria ekonomike është një koncept multidimensional që kërkon koordinim midis politikave kombëtare dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Një dimension tjetër kritik është mbrojtja nga ndikimet e jashtme dhe kontrolli mbi burimet strategjike. Kriza e çipeve elektronike dhe konkurrenca globale për metale të rralla kanë treguar se mungesa e kontrollit mbi zinxhirët e furnizimit mund të kërcënojë zhvillimin e teknologjisë dhe ekonomisë digjitale. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, kjo nënvizon nevojën për të zhvilluar kapacitete prodhuese lokale dhe për të mbrojtur sektorët kritikë, duke përfshirë energjinë, telekomunikacionin, teknologjinë dhe infrastrukturën dixhitale.

Nga një perspektivë sociale, siguria ekonomike ka efekt të drejtpërdrejtë mbi qytetarët dhe bizneset. Qytetarët që kanë qasje në punësim të qëndrueshëm, arsim cilësor dhe kujdes shëndetësor përjetojnë një ndjesi sigurie që forcon stabilitetin e shtetit.

Për bizneset, stabiliteti i tregut, transparenca rregullatore dhe mbrojtja nga krizat globale janë parakusht për zhvillim. Në Shqipëri dhe Kosovë, kompanitë që kanë siguri financiare dhe infrastrukturë dixhitale të qëndrueshme janë më të afta të rrisin produktivitetin dhe të krijojnë vende pune, duke kontribuar kështu në stabilitetin ekonomik rajonal.

Siguria ekonomike ka gjithashtu një dimension kibernetik, që po bëhet gjithnjë e më kritik në epokën e digjitalizimit. Sulmet kibernetike ndaj sistemeve bankare, kompanive private dhe administratave shtetërore janë rritur në mënyrë dramatike gjatë viteve të fundit. Sipas raportit të Qendrës Europiane për Sigurinë Kibernetike (ENISA) për vitin 2023, numri i incidenteve kibernetike në Ballkanin Perëndimor është rritur mbi 35% krahasuar me vitin 2020, ndërkohë që sipas Bankës Botërore, rreth 60% e bankave në rajon kanë raportuar sulme ndaj sistemeve të tyre elektronike që kanë kërcënuar informacionin e klientëve dhe stabilitetin e transaksioneve financiare.

Në Shqipëri, për shembull, sulmet ndaj sistemeve bankare dhe të telekomunikacionit janë rritur me mbi 40% gjatë periudhës 2020–2024, duke detyruar institucionet të investojnë mbi 50 milionë euro në sisteme mbrojtjeje dhe edukim të stafit për cyber-security.

Në Kosovë, një raport i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë tregon se mbi 70% e kompanive të mëdha dhe të mesme janë përballur me sulme kibernetike të ndryshme, nga ransomware deri te tentativat për manipulim të të dhënave financiare dhe operative. Këto sulme kanë treguar qartë se stabiliteti i vendeve lidhet drejtpërdrejt me aftësinë për të mbrojtur infrastrukturën dixhitale dhe informacionin, duke e bërë sigurinë kibernetike pjesë integrale të politikave kombëtare ekonomike.

Për këtë arsye, Bashkimi Evropian ka krijuar programin “Cybersecurity Capacity Building” me një fond mbi 2 miliardë euro për vitet 2020–2025, për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike dhe për të mbrojtur sektorët kritikë, përfshirë energjinë, financat dhe administratën publike.

Në të njëjtën kohë, SHBA ka investuar rreth 1.5 miliardë dollarë për projekte të mbrojtjes kibernetike dhe trajnime për stafe vendore në rajon, duke përfshirë bashkëpunime direkte me autoritetet shqiptare dhe kosovare për të përmirësuar sigurinë e rrjeteve dhe sistemit bankar. Në këtë kontekst, siguria kibernetike nuk është thjesht një masë teknike, por një komponent strategjik i sigurisë ekonomike kombëtare.

Për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku ekonomitë janë të vogla dhe infrastruktura dixhitale është ende në zhvillim, investimet në cyber-defense janë vendimtare për të mbrojtur tregjet financiare, kompanitë strategjike dhe shërbimet publike nga sulmet që mund të destabilizojnë ekonominë dhe të rrezikojnë mirëqenien e qytetarëve.

Në një kuadër më të gjerë, siguria ekonomike mund të shihet si një strategji multidimensionale që integron politikat fiskale dhe monetare, menaxhimin e burimeve, zhvillimin e kapitalit njerëzor, mbrojtjen dixhitale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Vetëm përmes një qasjeje të tillë, Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor mund të garantojnë stabilitet, zhvillim të qëndrueshëm dhe mirëqenie sociale në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur dhe të paqëndrueshme. Në këtë kuadër, siguria ekonomike nuk është më një abstraksion akademik, por një nevojë praktike dhe strategjike.

Ajo përcakton aftësinë e vendeve për të përballuar pasiguritë globale, për të ruajtur stabilitetin dhe për të krijuar kushte për rritje dhe inovacion. Për rajonin e Ballkanit, ku ekonomitë janë të vogla dhe të hapura, përkushtimi ndaj konceptit të sigurisë ekonomike është i domosdoshëm për të garantuar një të ardhme të qëndrueshme, konkurruese dhe të sigurt.

Etiketa: aktualitet
Pas

OLAF: Fondet e IPARD mbeten të ngrira, qeveria të marrë masa konkrete

Para

“Topin nuk ka kush ta gjuajë”

Para
“Topin nuk ka kush ta gjuajë”

“Topin nuk ka kush ta gjuajë”

ADVERTISEMENT

Të Gjitha

Shqiptarët tani ikin me leje pune! Bien me 28% kërkesat për azil për 7-mujorin

Shqiptarët tani ikin me leje pune! Bien me 28% kërkesat për azil për 7-mujorin

nga Fast News
17:52 | 18/10/2025
0

“Topin nuk ka kush ta gjuajë”

“Topin nuk ka kush ta gjuajë”

nga Fast News
13:59 | 18/10/2025
0

Siguria ekonomike në epokën e sotme

Siguria ekonomike në epokën e sotme

nga Fast News
12:14 | 18/10/2025
0

OLAF: Fondet e IPARD mbeten të ngrira, qeveria të marrë masa konkrete

OLAF: Fondet e IPARD mbeten të ngrira, qeveria të marrë masa konkrete

nga Fast News
12:00 | 18/10/2025
0

Recent News

Shqiptarët tani ikin me leje pune! Bien me 28% kërkesat për azil për 7-mujorin

Shqiptarët tani ikin me leje pune! Bien me 28% kërkesat për azil për 7-mujorin

17:52 | 18/10/2025
“Topin nuk ka kush ta gjuajë”

“Topin nuk ka kush ta gjuajë”

13:59 | 18/10/2025

Categories

  • Aktualitet
  • Analizë
  • Barazia Gjinore
  • Biznes
  • Bota
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar
  • Ekonomi
  • Finance
  • Lifestyle
  • LIGJET e BIZNESIT
  • Të gjitha
  • Teknologji
  • Uncategorized

Rreth nesh

Fast News Economy është portali dedikuar ekonomisë, që informon mbi zhvillimet e fundit nga vendi dhe bota. Lajme të shpejta, analiza, opinione, gjithcka që doni dhe duhet të dini nga ekonomia i gjeni këtu.
Fast News Economy portali i lajmit të shpejtë!
Fast News Economy

Mbështetur nga

Ky website mirëmbahet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e „Fast News Economy by Aurora Sulce“ dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian apo të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Home
  • Biznes
  • Finance
  • Analizë
  • Teknologji
  • Logo LIGJET E BIZNESIT
  • Barazia Gjinore
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar