Investimi në letrat me vlerë të qeverisë, që janë bonot e thesarit dhe obligacionet janë një alternative shumë e mirë investimi për qytetarët, sipas ministrit të Financave, Petrit Malaj. Ai ka nxitur qytetarët dhe investitorët të blejnë titujt qeveritarë si një mundësi për të shtuar vlerën e kursimeve të tyre, pasi është koha më e përshtatshme për ta bërë këtë. “Është koha e duhur! Ju mund të investoni në tituj qeveritarë dhe të merrni pjesë në ankande për t’i rritur vlerën kursimeve tuaja,” shkroi ministri Malaj në rrjete sociale.
Malaj, tha se titujt qeveritarë janë si një alternativë e sigurt për investim. “Titujt qeveritarë janë investime të garantuara nga Qeveria e Shqipërisë dhe shiten përmes ankandeve të Ministrisë së Financave. Ato ofrojnë disa përparësi të rëndësishme: risk të ulët, kthim më të lartë se depozitat me afat dhe mundësi për t’u shitur lehtësisht në çdo kohë,” u shpreh ministri Malaj.
Llojet e titujve qeveritarë përfshijnë: Bonot e Thesarit – Investime afatshkurtra me maturim 3, 6 dhe 12 muaj. Tregtohen me zbritje, që do të thotë blihen me një çmim më të ulët dhe shlyhen në maturim me vlerën e plotë. Obligacionet – Investime afatmesme dhe afatgjata, me afate nga 2 deri në 20 vjet.
Ministria e Financave vijon përpjekjet për të promovuar investimin në tituj qeveritarë si një mënyrë efikase për të shtuar vlerën e kursimeve dhe për të përfshirë më gjerësisht qytetarët në tregun financiar. Kjo ministri po vijon fushatën e saj informuese për këtë.
Ankandi i fundit i zhvilluar nga Banka e Shqipërisë, si agjente fiskale e qeverisë, qe ai i datës 12 gusht, ku u paraqitën 17 kërkesa, prej të cilave u pranuan 5. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për 6-mujorin e parë 2025, individët investuan 14.6 miliardë lekë në tregun primar të bonove dhe obligacioneve. Kjo shifër është me rënie rreth 20% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.