• Home
  • Biznes
  • Finance
  • Analizë
  • Teknologji
  • Logo LIGJET E BIZNESIT
  • Barazia Gjinore
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar
Nuk ka rezultat
View All Result
  • Home
  • Biznes
  • Finance
  • Analizë
  • Teknologji
  • Logo LIGJET E BIZNESIT
  • Barazia Gjinore
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar
Nuk ka rezultat
View All Result
Nuk ka rezultat
View All Result
  • Logo LIGJET E BIZNESIT


Fillimi Analizë

1 gushti, afati i “luftës së tarifave”, rezultatet dhe reagime

nga Fast News
11 hours më parë
në Analizë
0
1 gushti, afati i “luftës së tarifave”, rezultatet dhe reagime

Anastas Angjeli

152
SHPERNDAJ
1.9k
Klikime
Share on FacebookShare on Twitter

Nga Akademik, Prof. Anastas Angjeli

Pas muajsh tensionesh dhe presionesh në luftën tregtare për përshkallëzimin e ri tarifor nga Shtetet e Bashkuara, ndaj të gjitha vendeve të tjera të shpallura nga Presidenti Trump, mbërritëm në afatin e fundit të hyrjes në fuqi dhe zbatimit të tyre.





CILAT JANË REZULTATET?

SHBA dhe Bashkimi Evropian arritën një marrëveshje tregtare që ndryshon rrënjësisht natyrën e marrëdhënieve ekonomike transatlantike. Kështu, një luftë tregtare ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian duket se është shmangur, por BE-ja ka dalë e dëmtuar dhe marrëdhëniet transatlantike mbeten të paparashikueshme. Këto janë përfundimet kryesore pas arritjes së marrëveshjes për një kornizë tregtare ndërmjet Brukselit dhe Uashingtonit, në Skoci, më 27 korrik.

Kjo marrëveshje, e cila parashikon vendosjen e një tarife të përbashkët 15% për një gamë të gjerë mallrash evropiane që hyjnë në tregun amerikan, u paraqit si një kompromis i dhimbshëm, por i domosdoshëm, për të shmangur tarifat e larta që Presidenti Trump kishte paralajmëruar më herët. Pavarësisht se nga një pjesë e zyrtarëve të lartë të BE-së konsiderohet si një “zgjidhje e balancuar”, ajo dëshmon për një ndryshim strukturor në mënyrën se si konceptohet dhe negociohet tregtia ndërkombëtare në një botë gjithnjë e më të ndarë dhe të paqëndrueshme gjeopolitikisht. Tarifa 15% nuk është vetëm një shifër. Ajo prek sektorë kritikë të ekonomisë evropiane, duke filluar nga industria e automjeteve, tek ajo farmaceutike, e deri tek teknologjitë e avancuara dhe gjysmëpërçuesit. Kjo tarifë do të zbatohet mbi një bazë të gjerë, por përjashton disa kategori strategjike mallrash, si pjesët përbërëse të avionëve, lëndët e para të rralla, pajisjet për prodhimin e mikroçipave dhe disa preparate farmaceutike të domosdoshme për kujdesin shëndetësor bazik. . Çeliku dhe alumini do të vazhdojnë të taksohen me 50%, edhe pse do të vendoset një sistem kuotash që do të lejojë që disa produkte të tregtohen nën nivelin e tarifës.

Çeliku dhe alumini do të vazhdojnë të taksohen me 50%, edhe pse do të vendoset një sistem kuotash që do të lejojë që disa produkte të tregtohen nën nivelin e tarifës.

Megjithatë marrëveshja tregtare përfshin përjashtime dhe përkufizime të shumta. Duhet kujtuar se kjo është vetëm një marrëveshje kornizë dhe detajet e saj vendimtare do të negociohen në javët në vijim. Brukseli dhe Uashingtoni kanë rënë tashmë dakord për tarifa zero mbi avionët, gjysmëpërçuesit, lëndët e para kritike, si dhe disa produkte kimike e bujqësore. Pritet që lista e produkteve me përjashtime të zgjerohet edhe më shumë – veçanërisht pas një fushate lobimi të shtuar nga të dy anët e Atlantikut.

Përjashtimet tregojnë një përpjekje për të ruajtur integritetin e zinxhirëve kritikë të furnizimit mes dy ekonomive më të mëdha të botës, por në të njëjtën kohë shërbejnë si një kujtesë se kjo është një marrëveshje që është sa politike po aq dhe ekonomike.

BE, për të shmangur tarifa shumë më të mëdha dhe për të ruajtur qasjen në tregun amerikan, ka pranuar një sërë angazhimesh të tjera që shtrihen përtej fushës së tregtisë konvencionale. Në qendër të marrëveshjes qëndron zotimi për të blerë energji amerikane në vlerë prej 750 miliardë dollarësh deri në vitin 2027, (kjo përshtatet plotësisht me nivelet e tanishme të importit, sidomos kur merret në konsideratë qëllimi për të eliminuar blerjet nga Rusia që ende arrijnë në 23 miliardë dollarë në vit.) si dhe për të investuar rreth 600 miliardë dollarë në sektorë të përzgjedhur të ekonomisë amerikane, veçanërisht në infrastrukturën prodhuese, teknologjinë e mbrojtjes dhe sektorët që lidhen me prodhimin strategjik. Këto investime përfshijnë edhe një pjesëmarrje më të theksuar të kapitalit evropian në rindërtimin e industrisë amerikane të mikroteknologjisë, e cila është kthyer në një fushë të luftës gjeopolitike me Kinën.

MARRËVESHJET E TJERA TË ARRITURA DHE NDËSHKIMET

Duket se në afatin e vendosur(1 gusht) nuk arrit të realizoheshin marrëveshjet e parashikuara . Ja gjendja e tregtisë globale dhe marrëveshjet:

Mbretëria e Bashkuar, ishte e para që arriti një marrëveshje tregtare me SHBA-në, duke e mbyllur atë në maj. Korniza përfshin një tarifë bazë prej 10% për mallrat britanike, si dhe kuota dhe përjashtime të ndryshme për produkte të tilla si makinat dhe produktet e hapësirës ajrore. Disa pjesë të marrëveshjes së tyre tregtare mbeten të pasigurta. Kjo përfshin tarifat për çelikun dhe aluminin në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat SHBA-të kanë rënë dakord t’i ulin. Bisedimet mbi taksën e shërbimeve digjitale të Mbretërisë së Bashkuar, të cilën Trump dëshiron ta heqë, duket se po vazhdojnë, gjithashtu.

Vietnami: Tarifat përgjysmohen. Vietnami ishte i dyti që arriti një marrëveshje me administratën Trump, teksa presidenti amerikan njoftoi një marrëveshjen tregtare më 2 korrik, duke rezultuar në uljen e tarifave të vendosura ndaj Vietnamit nga 46% në 20%. Një pikë tjetër në marrëveshje ishte një tarifë prej 40% për produktet e “transportimit” me origjinë nga një vend tjetër që kalojnë nëpër Vietnam para se të arrijnë në SHBA, por është e paqartë se si do të zbatohet. Trump, gjithashtu, pretendoi se produktet amerikane do të kishin akses të plotë në tregun vietnamez.

Indonezia: Heqja e barrierave. Norma e tarifave të Indonezisë u ul në 19% nga 32% në marrëveshjen e saj me Trump, e cila u njoftua më 15 korrik. Shtëpia e Bardhë tha se Indonezia do të eliminonte tarifat për më shumë se 99% të produkteve amerikane të eksportuara në Indonezi në të gjithë sektorët, duke përfshirë produktet bujqësore dhe energjinë.

Filipinet: Ulje minimale. Ndryshe nga partnerët e mësipërm të ASEAN-it që patën ulje të konsiderueshme, Filipinet panë një rënie prej vetëm 1%, nga 20% në 19%, më 22 korrik.

Japonia: Orizi dhe makinat. Japonia ishte ekonomia e dytë e madhe aziatike që arriti një marrëveshje me SHBA-në pas Kinës, me normën e tarifës të ulur në 15% nga 25% më 23 korrik dhe ishte ekonomia e parë që pa një normë më të ulët tarifore për sektorin e saj kyç të automobilave.

Koreja e Jugut, gjithashtu, në 15%.Koreja e Jugut është vendi i fundit që arriti një marrëveshje me SHBA-në, të enjten, me kushte disi të ngjashme me ato të vendosura ndaj Japonisë. Vendi do të shohë një tarifë të përgjithshme prej 15% mbi eksportet e tij, ndërsa tarifat e automjeteve gjithashtu ulen në 15%.

Kina: Bisedimet vazhdojnë. Bisedimet tregtare të administratës Trump me Kinën kanë marrë një rrugë të ndryshme nga pjesa tjetër e botës. Ekonomia e dytë më e madhe në botë ka qenë një objektiv i vazhdueshëm për tregtinë e Trump që kur ai mori detyrën.

Në vend të një marrëveshjeje, Kina ka pranuar një sërë pezullimesh të tarifës “reciproke”. Fillimisht e vendosur në 34%, përpara se një sërë përshkallëzimesh dypalëshe të arrinin në 145% për importet nga Kina në SHBA dhe 125% për importet amerikane në Kinë.

Megjithatë, të dy palët ranë dakord për një ulje të tarifave në maj pas takimit në Gjenevë, me një “armëpushim” deri më 12 gusht. Kina tani përballet me një tarifë totale prej 30%, ndërsa SHBA-të po shqyrtojnë tarifat prej 10%.

Takimi më i fundit i vendeve në Stokholm përfundoi pa një zgjatje të “armëpushimit”, por Sekretari i Thesarit të SHBA-së tha se çdo zgjatje e armëpushimit nuk do të bihet dakord derisa Trump të nënshkruajë planin.

VENDET PA NJË MARRËVESHJE

Për vendet pa një marrëveshje, duket se ato do t’i nënshtrohen një tarife bazë globale më të lartë prej rreth 15%-20%, sipas Trump, më e lartë se 10% bazë e njoftuar në “Ditën e Çlirimit”. Vendet me një suficit tregtar me SHBA-në ka të ngjarë të përballen me një normë më të lartë tarifore.

Kanadaja: Në muajt e fundit, ka pasur një shkëmbim të vazhdueshëm masash midis Kanadasë dhe SHBA-së. Që nga 1 gushti, Kanadaja do përballet me tarifa prej 35% për produkte të ndryshme, ndërsa Trump ka kërcënuar ta rrisë këtë normë në rast hakmarrjeje.

Tarifa nuk përfshin tarifat individuale sektoriale. Trump ka përmendur vazhdimisht drogën që trafikohet nga Kanadaja në SHBA si arsye për vendosjen e tarifave.

Kryeministri kanadez Mark Carney tha këtë javë se të dy vendet janë në një “fazë intensive” negociatash, duke treguar se një marrëveshje është e pamundur.

Meksika: Asnjë shenjë progresi

Ashtu si Kanadaja, Meksika ka qenë prej kohësh një objektiv i tarifave amerikane, me Trump që përmendi drogën dhe imigracionin e paligjshëm si arsye për vendosjen e tarifave ndaj fqinjit jugor të SHBA-së.

Presidenti ka thënë se Meksika nuk ka bërë mjaftueshëm për të siguruar kufirin. Meksika pritet të goditet me një tarifë prej 30% dhe në rast hakmarrjeje, SHBA-të po paralajmërojnë për tarifa edhe më të larta. Duket se ne momentin e fundit shtyrja e vendosjes së tarifave ndaj Meksikes do të bëhet edhe për tre muaj të tjera.

Australia: Australia aktualisht i nënshtrohet tarifës bazë prej 10%, pasi ka një deficit tregtar me SHBA-në. Megjithatë, mund të përballet me një tarifë më të lartë nëse Trump vendos ta rrisë normën bazë në 15%-20%.Nuk dihet nëse Australia është në negociata tregtare me Uashingtonin, ndërsa kryeministri Anthony Albanese raportohet të ketë argumentuar se deficiti dhe marrëveshja tregtare duhet të nënkuptojnë se nuk do të ketë.

Vendet e BRICS. Presidenti Trump sulmoi vendet e BRICS kur deklaroi se do të “shkatërrojë” vendet anëtare të BRICS dhe vendet mbështetëse të kësaj organizate. Ai ka paralajmëruar tarifa 50% për Brazilin, 100 % për Indinë dhe 100 % për Rusinë nëse nuk arrin marrëveshjen e armëpushimit me Ukrainën.(Edhe pse Presidenti Rus Putin ka reaguar se ekonomia ruse ka fituar imunitet ndaj politikave të sanksioneve, dhe ish-Presidenti Medvedev ka theksuar se Rusia nuk është as Izraeli dhe as Irani, deklarata këto që kanë marrë kundërpërgjigje të ashpra nga Presidenti Trump).

Po cilat janë reagimet ndaj marrëveshjeve? Reagimet brenda Bashkimit Evropian nuk kanë qenë të njëtrajtshme. Për disa, SHBA-ja ofroi pak ose aspak lëshime në këmbim, duke shkaktuar reagime të ashpra në disa vende evropiane që e quajtën marrëveshjen “dorëzim” dhe “nënshtrim”.

Gjermania, e cila ka më shumë për të humbur nga një luftë tarifash, pasi është eksportuesi më i madh i automjeteve dhe makinerive në SHBA, e ka përshëndetur marrëveshjen si një kompromis të pashmangshëm. Ministri gjerman i ekonomisë e quajti këtë “një hap përpara në ruajtjen e partneritetit strategjik me SHBA-në dhe mbrojtjen e industrisë sonë eksportuese”.

Megjithatë, jo të gjitha shtetet anëtare ndajnë të njëjtën pikëpamje. Franca, që prej kohësh ka qenë promotore e konceptit të “autonomisë strategjike evropiane”, ka kritikuar ashpër marrëveshjen, duke e cilësuar si një “ditë të errët për Evropën”.

Për Parisin, kjo marrëveshje përbën një dorëzim të panevojshëm dhe të dëmshëm ndaj kërkesave të Uashingtonit, duke përçuar një sinjal dobësie dhe mungese koherence nga ana e BE-së. “Nuk mbaron këtu.” Më tepër sesa premtim, tingëllon si kërcënim nga presidenti francez Emmanuel Macron që ka shënjestruaar sërish marrëveshjen me SHBA-të për tarifat dhe punën e Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, shkruan La Repubblica.

E vetmja anë pozitive është “qëndrueshmëria dhe parashikueshmëria” e kushteve nën të cilat do të veprojnë kompanitë e eksportit. Qeveria franceze në veçanti po shtyn drejt përjashtimit për mjetet e aviacionit, verën dhe alkoolin nga tarifa e përgjithshme 15%.

Vendet e tjera si Spanja, Italia nuk janë treguar entuziaste ndërsa vendet e vogla, përfshirë Irlandën dhe Holandën, janë treguar të shqetësuara për ndikimin disproporcional që do të ketë kjo tarifë mbi sektorët e tyre eksportues, ndërsa vende të Evropës Lindore kanë shprehur frikë se kjo marrëveshje thellon varësinë energjetike dhe financiare nga një aleat që nuk heziton të përdorë forcën për të arritur qëllimet e veta.

Komisioneri i Tregtisë së BE-së, Maroš Šefèoviè, megjithatë, e quajti atë “marrëveshjen më të mirë që mund të kishim arritur në rrethana shumë të vështira”.

Ndërkohë, nga këndvështrimi amerikan, marrëveshja tarifore me Bashkimin Evropian përfaqëson një sukses strategjik dhe një konfirmim të qasjes të administratës Trump ndaj partnerëve të saj ekonomikë. Shtetet e Bashkuara arritën të ushtrojnë presion të konsiderueshëm mbi BE-në duke kërcënuar me aplikimin e tarifave të ashpra 30% për importet evropiane, kryesisht në sektorët ku eksportet evropiane kishin peshë të lartë si industria automobilistike, pajisjet farmaceutike, makineritë industriale dhe komponentët elektronikë. Kërcënimi për vendosjen e këtyre tarifave, i mbështetur nga një diskurs politik tërheqës për bazën elektorale të Trump u përdor si mjet negociues për të arritur përfitime të qarta për industrinë dhe ekonominë amerikane.

Administrata amerikane jo vetëm që arriti të reduktonte tarifat nga 30% në 15%, por në fakt e ktheu këtë “ulje” në një shkëmbim të favorshëm: në këmbim të saj BE u angazhua të realizojë blerje masive të energjisë amerikane – kryesisht LNG (gaz natyror i lëngshëm) – në vlerën prej 750 miliardë dollarësh deri në vitin 2027.

Kjo jo vetëm që forcon industrinë energjetike amerikane dhe siguron tregje të qëndrueshme për prodhuesit e gazit dhe naftës, por gjithashtu dobëson më tej varësinë e Evropës nga furnizues të tjerë si Rusia, duke i dhënë një dimension gjeopolitik kontrollit të SHBA mbi furnizimet energjetike globale. Përveç kësaj, siç përmenda më sipër, BE ka pranuar të investojë rreth 600 miliardë dollarë në sektorë strategjikë brenda SHBA-së, përfshirë infrastrukturën e avancuar, teknologjinë e mbrojtjes dhe kapacitetet industriale të lidhura me zinxhirët globalë të prodhimit.

Këto angazhime konsolidojnë rolin e SHBA-së jo vetëm si furnizues global, por edhe si vend pritës i investimeve strategjike nga aleatët e saj, në një kohë kur konkurrenca me Kinën po thellohet dhe kërkesa për shtrirje të ndikimit ekonomik është në rritje. Kjo marrëveshje forcon, gjithashtu, kapacitetin amerikan për të përcaktuar normat e lojës ekonomike.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është se marrëveshja ka një karakter të përkohshëm dhe të kushtëzuar – Presidenti Trump e ka bërë të qartë se çdo devijim i BE nga zotimet për blerje dhe investime mund të sjellë rikthimin automatik të tarifave në nivelin 30%, duke krijuar kështu një mekanizëm presioni të vazhdueshëm që mban Bashkimin Evropian në pozicion mbrojtës dhe të varur nga vullneti politik i Uashingtonit.

Në këtë mënyrë, marrëveshja është jo vetëm një manovër tregtare, por një instrument i politikës së jashtme amerikane, diplomacisë ekonomike të saj, që synon të forcojë pozitën ekonomike, të rikthejë kontrollin mbi aleatët strategjikë dhe të theksojë rolin e SHBA-së si qendër e rëndesës në rendin ekonomik ndërkombëtar. Pra vështirë se një marrëveshje e tillë mund të konsiderohet si një rikthim te bashkëpunimi klasik transatlantik.

Marrëveshja BE–SHBA nuk mund të kuptohet plotësisht pa e parë atë në kontekstin më të gjerë gjeopolitik dhe ekonomik. Ajo vjen në një moment kur bota është duke hyrë në një fazë të re fragmentimi ekonomik, ku logjika e sigurisë, e kontrollit teknologjik dhe e aleancave strategjike zëvendëson rregullat multilaterale të tregtisë që kanë qenë në fuqi për dekada.

Në sfond qëndron konkurrenca në rritje me Kinën, përplasjet për teknologjitë e reja dhe përpjekja për të rikthyer prodhimin në vendet e origjinës. Bashkimi Evropian gjendet në një pozitë të ndërlikuar: i kapur mes presionit amerikan për të mbështetur industrinë dhe energjinë amerikane, dhe nevojës për të ruajtur unitetin e brendshëm mes shteteve anëtare që kanë interesa të ndryshme ekonomike.

Në tërësi, marrëveshja e korrikut nuk është vetëm një dokument ekonomik, por një pasqyrim i një epoke të re në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku tregtia nuk është më e ndarë nga gjeopolitika, dhe ku shtetet përdorin tarifat, investimet dhe energjinë si mjete të politikës së jashtme.

Bashkimi Evropian përballet me sfidën e përshtatjes në këtë realitet të ri, ndërsa SHBA tregon se është e gatshme të përdorë fuqinë ekonomike për të orientuar aleatët drejt interesave të veta strategjike. Pyetja që mbetet është nëse ky model bashkëpunimi, i ndërtuar mbi presion dhe koncesione, mund të jetë i qëndrueshëm në një botë që kërkon gjithnjë e më shumë stabilitet, drejtësi dhe besim të ndërsjellë.

Etiketa: aktualitet
Pas

Rrebeshe dhe dy valë nxehtësie, ja sesi do të jetë moti në gusht

Para

Po ndërtohet rruga e Dukagjinit, Rama: Kompletohet rrjeti i Alpeve

Para
Po ndërtohet rruga e Dukagjinit, Rama: Kompletohet rrjeti i Alpeve

Po ndërtohet rruga e Dukagjinit, Rama: Kompletohet rrjeti i Alpeve

Të Gjitha

Kur arti tejkalon kufijtë: nga Tirana në Bari e Podgoricë – një diplomë, tre shtete, një qëllim i përbashkët

Kur arti tejkalon kufijtë: nga Tirana në Bari e Podgoricë – një diplomë, tre shtete, një qëllim i përbashkët

nga Fast News
14:23 | 02/08/2025
0

Po ndërtohet rruga e Dukagjinit, Rama: Kompletohet rrjeti i Alpeve

Po ndërtohet rruga e Dukagjinit, Rama: Kompletohet rrjeti i Alpeve

nga Fast News
13:02 | 02/08/2025
0

1 gushti, afati i “luftës së tarifave”, rezultatet dhe reagime

1 gushti, afati i “luftës së tarifave”, rezultatet dhe reagime

nga Fast News
12:58 | 02/08/2025
0

Rrebeshe dhe dy valë nxehtësie, ja sesi do të jetë moti në gusht

Rrebeshe dhe dy valë nxehtësie, ja sesi do të jetë moti në gusht

nga Fast News
10:00 | 02/08/2025
0

Recent News

Kur arti tejkalon kufijtë: nga Tirana në Bari e Podgoricë – një diplomë, tre shtete, një qëllim i përbashkët

Kur arti tejkalon kufijtë: nga Tirana në Bari e Podgoricë – një diplomë, tre shtete, një qëllim i përbashkët

14:23 | 02/08/2025
Po ndërtohet rruga e Dukagjinit, Rama: Kompletohet rrjeti i Alpeve

Po ndërtohet rruga e Dukagjinit, Rama: Kompletohet rrjeti i Alpeve

13:02 | 02/08/2025

Categories

  • Aktualitet
  • Analizë
  • Barazia Gjinore
  • Biznes
  • Bota
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar
  • Ekonomi
  • Finance
  • Lifestyle
  • LIGJET e BIZNESIT
  • Të gjitha
  • Teknologji
  • Uncategorized

Rreth nesh

Fast News Economy është portali dedikuar ekonomisë, që informon mbi zhvillimet e fundit nga vendi dhe bota. Lajme të shpejta, analiza, opinione, gjithcka që doni dhe duhet të dini nga ekonomia i gjeni këtu.
Fast News Economy portali i lajmit të shpejtë!
Fast News Economy

Mbështetur nga

Ky website mirëmbahet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e „Fast News Economy by Aurora Sulce“ dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian apo të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Home
  • Biznes
  • Finance
  • Analizë
  • Teknologji
  • Logo LIGJET E BIZNESIT
  • Barazia Gjinore
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar