Nga Ergis Sefa, ekspert për ekonominë
Samiti i fundit të NATO-s në Hagë vendosi për rritje të ndjeshme të shpenzimeve për sigurinë në 5% të PBB deri në 2035. Për Shqipërinë, ky angazhim nuk është thjesht një detyrim politik, por një nismë me implikime të rëndësishme për buxhetin e saj shtetëror dhe prioritetet kombëtare.
Detyrimi Fiskal: Nga 2% drejt një Realiteti të Ri
Angazhimi i deritanishëm vendeve anëtare të NATO-s për të shpenzuar të paktën 2% të PBB për mbrojtjen u vendos në 2014 pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë me aneksimin e gadishullit të Krimesë. Samiti i 2025 në Hagë përforcoi idenë se 2% ishte një pikënisje dhe jo një tavan.
Për Shqipërinë, arritja e këtij objektivi fiskal kërkon një analizë të thellë. Në vitin 2025, këto shpenzime pritet të kalojë nivelin e 2% të PBB, për herë të parë në 35 vite. Thënë ndryshe rreth € 530 milion.
Duke marrë bazë rritjen ekonomike të projektuar nga institucionet ndërkombëtare, që Shqipëria të arrijë nivelin e ri prej 5% të PBB në 10 vite, do i duhet të alokojë rreth € 120-130 milionë shtesë në vit nga buxheti i saj për mbrojtjen dhe sigurinë.
Sfidat Buxhetore: Ku do gjehen paratë?
Rritja e shpenzimeve të sigurisë sjell me vete sfida të mëdha për buxhetin e shtetit shqiptar:
- Presioni mbi Shpenzimet Publike: Buxheti i Shqipërisë është tashmë nën presion nga nevoja për investime në infrastrukturë, shëndetësi, arsim dhe programe sociale. Një rritje e konsiderueshme e shpenzimeve të mbrojtjes mund të kërkojë shkurtimin e fondeve në këto sektorë të tjerë jetikë.
- Rritja e Deficitit dhe Borxhit Publik: Nëse rritja e shpenzimeve të mbrojtjes nuk shoqërohet me rritje të të ardhurave ose me shkurtime në fusha të tjera, ajo mund të çojë në rritjen e deficitit buxhetor dhe, rrjedhimisht, në rritjen e borxhit publik.
- Prioritetet e Investimeve: Shqipëria ka nevojë urgjente për modernizimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse, duke përfshirë blerjen e pajisjeve të reja, trajnime dhe mirëmbajtje.
Mundësia e Shekullit: Investimi në Sigurinë Kolektive dhe Zhvillimin Kombëtar
Megjithëse sfidat janë të dukshme, rritja e shpenzimeve të mbrojtjes mund të krijojë edhe mundësi:
- Modernizimi i Forcave të Armatosura: Investimet shtesë do të forconin kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë, duke e bërë atë një kontribuues më të aftë në NATO. Kjo jo vetëm që rrit sigurinë kombëtare, por edhe prestigjin dhe ndikimin e vendit ndërkombëtarisht. Shembuj të këtij modernizimi janë blerja droneve “Bayraktar TB2” dhe investimet e planifikuara për bazën ajrore të Kuçovës.
- Rritja e Sigurisë dhe Stabilitetit Rajonal: Një Shqipëri më e fortë ushtarakisht kontribuon në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe kjo siguri e shtuar tërheq investime të huaja direkte dhe të nxisë zhvillimin ekonomik.
- Transferimi i Teknologjisë dhe Zhvillimi i Industrisë së Mbrojtjes: Investimet në pajisje dhe teknologji të reja mund të nxisin zhvillimin e një industrie të mbrojtjes lokale, duke krijuar vende pune të kualifikuara dhe duke nxitur inovacionin.
- Fuqizimi i Marrëdhënieve Transatlantike: Përmbushja e angazhimeve ndaj NATO-s forcon lidhjet me partnerët strategjikë dhe sjell përfitime të tjera në fusha si bashkëpunimi ekonomik dhe mbështetja diplomatike.
Balancimi i Detyrimeve me Prioritetet Kombëtare
Shqipëria ndodhet përballë një zgjedhjeje strategjike. Përballimi i kërkesave të rritura të NATO-s kërkon një menaxhim të kujdesshëm të buxhetit dhe një përcaktim të qartë të prioriteteve. Është thelbësore që çdo rritje e shpenzimeve të mbrojtjes të jetë e shoqëruar me transparencë maksimale, efikasitet në shpenzime dhe një planifikim afatgjatë.
Qeveria shqiptare do të duhet të gjejë një balancë midis përmbushjes së detyrimeve ndaj Aleancës dhe ruajtjes së stabilitetit fiskal, duke siguruar që investimet në mbrojtje të kontribuojnë jo vetëm në sigurinë kombëtare, por edhe në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.