Nga Pano Soko, ekspert për ekonominë
Pas luftës në Ukrainë, Europa u detyrua që të shkëputej nga nafta ruse. Në 2021 Europa importonte 2.2 milionë fuçi nga Rusia, në 2024 importonte vetëm 400 mijë.. Dhe kjo sasi duhej zëvendësuar. Dhe tregu më i madh (dhe i afërt) ku mund të gjendeshin sasi të tilla ishte Lindja e Mesme.
Rezultati?
20-25% e naftës që përpunohet dhe përdoret më pas në Europë importohet ga Arabia Saudite, Emiratet dhe Iraku… pra duhet të kalojë nga Hormuzi.
Norvegjia & SHBA së bashku furnizojnë gjysmën e sasisë që konsumon Europa, por fill pas tyre vjen Lindja e Mesme si furnitor kryesor. Dhe kjo e bën Hormuzin shumë të rëndësishëm për Europën.
Gjithsesi krahasuar me Azinë, ne jemi më pak të varur.
Aty Japonia dhe Korea e Jugut kanë varësi të frikshme, pasi 90% e naftës që ata importojnë kalon nga Hormuzi.
Kina dhe India me 50%.
Vietnami, Filipinet, etj me nga 40%..
Gjithsesi dhe Europa ka pengjet e saj.
Spanja, Italia dhe Greqia varen më shumë (deri në 40% e naftës që përdorin rafineritë e këtyre vendeve, kalon nga Hormuzi). Nëse bllokohet Hormuzi, atje ndihet fort dhe menjëherë. Dhe për ters, këto janë dhe vendet nga Shqipëria importon më shpesh dieselin dhe benzinën e saj.
Prandaj një krizë në Hormuz, do të ishte një hall shumë i madh.
E para, do i jepte çmimit Brent të naftës bruto një goditje (+30-50%).
Në pikat e karburantit 200-220 Lek/litër benzinë do të bëhej realitet dhe një herë si një herë.
Gazi gjithashtu! 30% e gazit të lëngshëm (LNG) nga Katari kalon nga Hirmuzi. Gropë e madhe dhe aty.
Dhe situata është shah-mat se alternativat (si naftësjellësi turk psh, apo TAP-i) janë të kufizuara në kapacitet. S’kemi rrugë të tjera nga ta sjellim (apo zëvendësojmë) naftën e gazin e Lindjes së Mesme në Europë.
E dyta, kriza mund të cojë që për një periudhë të shkurtër kohe të ketë dhe mungesa totale të naftës, si pasojë e bllokimit të anijeve. Kjo ndodhi dhe në rastin e Ukrainës. Ditët e para të vendimit për embargon e naftës ruse, rafineritë europiane mbetën bosh, pa lëndë të parë. Dhe kjo gjë mund të përsëritet…
E treta, inflacioni. Si në rastin e Luftës në Ukrainë, edhe në këtë rast, nafta dhe çmimi i saj i rritur do të jetë lokomotiva e një treni inflacioni që do prekë një gamë shumë të gjerë produktesh. Çmimet e shumë produkteve apo shërbimeve do të rriteshin nën ligjësitë e reaksionit zinxhir që prodhon rritja e çmimit të energjisë. Dhe duke qënë se Shqipëria është një vend i varur totalisht nga produktet e huaja, çdo rritje çmimi në Europë, do të vijë në Shqipëri, madje me premio plus..
Tani Europa ka një sasi nafte si rezervë sigurie për 90 ditë, sipas kërkesave të IEA, po kjo nuk zgjidh asgjë.
Personalisht, jam i prirur të mendoj që Irani nuk ka për ta mbyllur Hormuzin, pasi me nje deduksion të thjeshtë, i bie të presë degën ku qëndron vetë.
Irani është në luftë, lufta do para. Dhe paratë Irani mund t’i sigurojë vetëm duke shitur naftën e vet, ç’ka do të thotë që i duhet Hormuzi i hapur, jo i mbyllur.
Gjithsesi Europës i duhet një zgjidhje. Ajo duhet të jetë e qëndrueshme, që i reziston kohës.
Duhet të ristrukturojë arkitekturën e furnizimit.
E gjendur mes dy zjarresh, Rusia nga një anë dhe Hormuzi nga krahu tjetër, duket se e vetmja zgjidhje për Europën mbetet nafta amerikane. Ta importojë gjithë naftën e vet nga SHBA (ëndrra e kahershme e amerikanëve..). Natyrisht, për shkak të kostove të transportit, nafta amerikane do kushtojë pak më shumë, po këtë fat kishim…