Nga Aurora Sulce, Producente Ekzekutive për Biznesin në A2 CNN
Tregu shqiptar është i vogël dhe për shkak të tranzicionit të zgjatur dhe politikave shumë herë të gabuara fiskale ka pësuar deformime të forta në drejtim të konkurrencës. Ai është i dominuar kryesisht nga biznese të vogla. Ndaj nuk është cudi që brenda një lagjeje të ketë disa farmaci, dyqane buke, bar kafe apo parukeri. Modele të ngjashme biznesi, që nisin me pak para dhe shërbejnë kryesisht për punësimin e familjes.
Në vitin 2024, numri i bizneseve në shkallë vendi arriti në mbi 132 mijë, me rritje 1.4% kundrejt një viti më parë. Por teksa trendi në rritje i hapjes së bizneseve të reja është pozitiv, problem mbetet struktura.
Aktualisht, vetëm 1.6% e bizneseve në vend janë ndërmarje të mëdha me më shumë se 50 të punësuar. Shumica dërrmuese janë subjekte të vogla, që kanë nga 1 deri në 4 të punësuar.
Shqiptarët preferojnë më shumë të merren me tregti dhe shërbime dhe më pak me prodhim. Kjo pasi të bësh biznes në këta sektorë është më e lehtë dhe me risk më të ulët. Përvec kësaj, nuk nevojiten të ardhura të mëdha për të hapur një aktivitet të tillë dhe as njohuri të thelluara apo eksperiencë.
Të dhënat tregojnë se në fushën e tregtisë janë aktive mbi 44 mijë biznese dhe në atë të shërbimeve më shumë se 62 mijë. Në total, vetëm në këta dy sektorë janë të përqëndruar mbi 82% e totalit të bizneseve në vend.
Por të bësh biznes në Shqipëri nuk e lehtë. Një refren që drejtuesit e kompanive të mëdha e përsërisin vazhdimisht teksa rendisin gamën e vështirësive që duhet të përballin cdo ditë,
Disa probleme janë të trashëguara e disa të tjera të krijuara vitet e fundit, si mungesa e fuqisë punëtore, zhvlerësimi i fortë i euros, informaliteti; marrëdhëniet jo të lehta me institucionet; korrupsioni dhe mungesa e financimeve.