Bie besimi në ekonomi. Vrojtimi I Treguesit të ndjesisë ekonomike, publikuar nga Banka e Shqipërisë evidenton në muajin prill, me rënie prej 0.8 pikësh në krahasim me marsin. Kjo rënie u përcaktua veçanërisht nga sektori i industrisë, dhe më pak nga treguesi i besimit konsumator. Ndërkohë treguesit e besimit në sektorët e ndërtimit, shërbimeve dhe tregtisë, regjistruan rritje të lehta.
Treguesi i besimit të industrisë (TBI) ra me 6.7 pikë përqindje në muajin prill, i ndikuar nga vlerësimet e përkeqësuara për kontratat porositëse në vend dhe veçanërisht për ato nga eksportet. Për rrjedhim, niveli aktual i TBI-së thelloi vlerat negative, duke zbritur nën mesataren historike. Në terma të pritjeve për të ardhmen, bizneseve të këtij sektori presin punësim në rritje dhe çmime në rënie.
Treguesi i besimit në ndërtim (TBN) u rrit me 1.3 pikë përqindje në muajin prill, për të dytin muaj me radhë. Ky tregues qëndron rreth 17 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Rritja këtë muaj u përcaktua kryesisht nga vlerësimet më të larta për nivelin e porosive aktuale. Pritjet për punësimin dhe ato për çmimet në të ardhmen janë në rritje.
Treguesi i besimit në shërbime (tBSh) u rrit lehtësisht me 0.5 pikë përqindje, në muajin prill. Niveli i TBSH-së qëndron rreth 14 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë të tij. Të dy komponentët përbërës të treguesit, ecuria aktuale e aktivitetit si dhe niveli i kërkesës, kanë regjistruar rritje. Pritjet e bizneseve për punësimin dhe çmimet në të ardhmen janë gjithashtu me rritje.
Treguesi i besimit në tregti (tBt) ka shënuar rritje me rreth 0.8 pikë përqindje. Kjo rritje u ndikua kryesisht nga vlerësime optimiste për punësimin në të ardhmen. Niveli aktual i TBT-së qëndron rreth 7 pikë përqindje mbi mesataren historike. Gjithashtu, pritjet e tyre për ecurinë e biznesit dhe ato për çmimet në të ardhmen kanë regjistruar rritje këtë muaj.
Treguesi i besimit konsumator (tBK) ra me 1.3 pikë përqindje. Megjithatë, niveli i tij aktual mbetet mbi mesataren historike me rreth 2 pikë përqindje. Përkeqësimi i TBK-së këtë muaj u ndikua nga rënia e pothuajse të gjithë balancave përbërëse të treguesit, përkatësisht: pritjeve për situatën e përgjithshme ekonomike, situatën financiare dhe blerjet aktuale në shuma të mëdha (Tabelë 2, konsumatori. Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve dhe punësimin në të ardhmen janë rishikuar lehtësisht për poshtë.