Blegtorët do të financohen për mbarështimin e bagëtive përmes skemës së subvencioneve 2025.
Konkretisht, Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, financon për gjedhë të matrikuluar në vlerën deri në 10 mijë lekë/krerë dhe lopë/mëshqerrë dhe deri në 5 mijë lekë/krerë viça, për fermer/aplikant me jo më pak se 10 krerë gjedhë.
Për pjesën mbi 50 (pesëdhjetë) krerë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Grup fermerësh” ose “Shoqëri të bashkëpunimit bujqësor (SHBB)”, të cilët financohen në masën 100 %.
Udhëzimi i Ministrisë së Bujqësisë i botuar në Fletoren Zyrtare përcakton se në ditën e aplikimit mosha e lopëve duhet të jetë jo më pak se 20 muaj, mosha e mëshqerrave jo më pak se nga 14 muaj, ndërsa mosha e viçave jo më shumë se 14 muaj. Pagesa për viçat përfitohet nëse ata mbarështohen/janë mbarështuar në fermën e aplikantit për jo më pak se 3 muaj.
Po ashtu, do të jepen pagesa direkte në vlerën deri në 1 200 lekë/krerë për tufën bazë të matrikulluar për fermer/aplikant me jo më pak se 100 krerë dele dhe/ose dhi.
Për pjesën mbi 300 krerë masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Grup fermerësh” ose “SHBB”
Udhëzimi përcakton se në rastin e aplikimit si grup fermerësh, aplikantët të kenë kontratë për shitjen e qumështit, midis grupit të fermerëve dhe një subjekti të licencuar grumbullues/përpunues të qumështit. Kontrata parashikon që sasia e qumështit të shitur të jetë jo më pak se 30% e prodhimit që realizon grupi (bazuar në rendimentin mesatar në shkallë qarku, me referencë të dhënat e INSAT-it).
Çdo anëtar i grupit të dorëzojë në AZHBR jo më pak se një faturë/autofaturë shitjeje të qumështit. Sasia e qumështit e pasqyruar në të gjitha faturat e dorëzuara nga grupi i fermerëve të jetë jo më pak se 30% e prodhimit vjetor.
Në rastin e aplikimit si grup fermerësh duhet të kenë marrëveshje dakordësie/bashkimi të anëtarëve të grupit të fermerëve, e cila ngarkohet në sistem në momentin e aplikimit. Në marrëveshje përcaktohet numri total i krerëve për çdo anëtar dhe si grup, si dhe përfaqësuesi i grupit që bën aplikimin.