Skuadrat më të vlefshme të futbollit në botë kapin një vlerë mesatare prej 2.3 miliardë dollarësh , një rritje prej 5.1% krahasuar me një vit më parë. Të ardhurat për 30 skuadrat kryesore kapën mesatarisht shifrën prej 397 milionë dollarësh, ose 3% më shumë se viti i kaluar. Por fitimi operativ (pa përfshirë interesat, taksat dhe amortizimin) pati rritjen më të madhe: mesatarisht 36 milionë dollarë për klub, një rritje prej 57% nga një vit më parë.
Në krye të listës qëndron sërish Real Madrid, me një vlerë prej 6.6 miliardë dollarësh – për të tretin vit radhazi dhe për herë të tetë në 11 vitet e fundit. Real Madrid realizoi të ardhurat më të larta ndër 30 klubet, me 873 milionë dollarë, falë suksesit të jashtëzakonshëm në fushën e lojës.
Që nga viti 2014, Real ka fituar 14 tituj ndërkombëtarë, përfshirë 5 Liga të Kampionëve, 4 Superkupa Europe, dhe 4 Kupa Bote për Klube. Më 1 qershor në stadiumin Wembley të Londrës, Real mund të shtojë një tjetër trofe të Champions League nëse mposht Borussia Dortmund.
Megjithë vlerën e lartë, nuk mund të investosh në Real Madrid, pasi klubi zotërohet nga mbi 90,000 anëtarë të tij. Megjithatë, mund të blesh aksione të Manchester United, që renditet i dyti në listë me një vlerë prej 6.55 miliardë dollarësh, sipas Forbes.
Në shkurt, Sir Jim Ratcliffe bleu 27.7% të Manchester United, me një vlerësim të përgjithshëm prej 6.5 miliardë dollarësh, duke paguar 33 dollarë për aksion.
Ndërkohë, tregu aktualisht e vlerëson aksionin vetëm 17 dollarë. Chris Marangi, menaxher portofoli në Gabelli Funds, beson se aksionet e Manchester United janë nënvlerësuar – ndoshta për shkak të pakënaqësisë së tifozëve ndaj familjes Glazer që nuk shiti kontrollin e klubit dhe performancës zhgënjyese të ekipit në Premier League, si dhe dështimit për të siguruar një vend në Champions League për vitin tjetër. Sipas tij, një shitje kontrolli – e ngjashme me përpjekjen e Sheikh Jassim vitin e kaluar – mund të arrijë një çmim shumë më të lartë se 33 dollarë për aksion.
Top 10 klubet më të vlefshme në botë (sipas Forbes):
SKUADRA | LIGA | VENDI | VLEFËSIA AKTUALE | RRITJA VJETORE (%) | TË ARDHURAT | FITIMI OPERATIV | |
1 | Real Madrid | La Liga | Spanjë | $6.6 Mld | 9% | $873 M | $76 M |
2 | Manchester United | Premier League | Angli | $6.55 Mld | 9% | $785 M | $187 M |
3 | Barcelona | La Liga | Spanjë | $5.6 Mld | 2% | $840 M | -$145 M |
4 | Liverpool | Premier League | Angli | $5.37 Mld | 2% | $719 M | $102 M |
5 | Manchester City | Premier League | Angli | $5.1 Mld | 2% | $869 M | $147 M |
6 | Bayern Munich | Bundesliga | Gjermani | $5 Mld | 3% | $781 M | $84 M |
7 | Paris Saint-Germain | Ligue 1 | Francë | $4.4 Mld | 4% | $754 M | -$126 M |
8 | Tottenham Hotspur | Premier League | Angli | $3.2 Mld | 14% | $665 M | $161 M |
9 | Chelsea | Premier League | Angli | $3.13 Mld | 1% | $620 M | $0 M |
10 | Arsenal | Premier League | Angli | $2.6 Mld | 15% | $560 M | $140 M |