Pas miratimit në parim të buxhetit 2025 më 19 nëntor në një maratonë që zgjati dy ditë, drafti më i rëndësishëm i financave publike rikthehet në seancë plenare. Sot në ora 10.00 është parashikuar të nisin diskutimet për miratimin nen për nen të buxhetit të vitit të ardhshëm.
Deputetët pritet të diskutojnë edhe për 16 amendamentet që ka bërë opozita, por edhe ndryshimet që janë bërë gjatë diksutimit nen për nen të draftit në komisionet parlamentare.
Buxheti 2025 parashikon që për pagat, pensionet, ndërtuar rrugë, shkolla e ujësjellës, menaxhuar mbetjet apo për t’u mbrojtur nga zjarret e përmbytjet një shumë që i kapërcen 822 miliardë lekë. Ai është mbi 51 miliardë lekë më shumë ose 6.6 për qind rritje kundrejt buxhetit 2024.
Një në katër lekë që do të shpenzohen vitin e ardhshëm do të shkojnë për “mbrojtjen sociale”. Nga rreth 8.2 miliardë euro në total që përllogaritet buxheti i vitit 2025, rreth 2 miliardë euro do të shkojnë për kategori të cilat kanë nevojë për “dorën e shtetit”.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është institucioni që do të marrë më shumë para, mbi 80 miliardë lekë, ndjekur nga Infrastruktura dhe Energjia me 74 miliardë lekë. Mbi 56 miliardë lekë do të shkojnë për Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ndjekur nga ajo e Brendshme dhe Mbrojtja.
Nuk mund të kemi arsim cilësor në kushtet e nën-financimit publik. Kjo tezë është pranuar edhe nga qeveria. Ndaj Ministria e Arsimit dhe Sportit do të ketë më shumë para në dispozicion vitin e ardhshëm. Nga 52.6 miliard lekë këtë vit, fondi për edukimin dhe sportin rritet në mbi 62 miliardë gjatë 2025-s.
Nga ana tjetër, të jesh i madh, jo gjithmonë do të thotë se ke avantazh. Shembulli më i mirë në vend është bujqësia. Kontributi i saj në ekonomi është gati 22 për qind e totalit, por vitin e ardhshëm sektori do të marrë më pak se 2 për qind të Buxhetit të Shtetit.
Në raport edhe me numrin e popullsisë, Tirana është bashkia që do të marrë më shumë para, mbi 6 miliardë lekë, ndjekur nga Durrësi me 2.3 miliardë, Elbasani 1.8 dhe Shkodra 1.5 miliardë lekë. Pusteci është ndërkohë bashkia që do të marrë më pak para nga buxheti i vitit të ardhshëm, vetëm 108 milionë lekë, ndjekur nga Libohova, Konispoli, Këlcyra dhe Dropulli.
Çdo fund viti, pyetjet më të mëdha që ngrihen mbi ‘Buxhetin e Shtetit’, janë se ku do të shkojnë taksat, çfarë projektesh të reja do hapen, a do rriten rrogat apo pensione?
Buxheti është dokumenti më i rëndësishëm publik i vendit, që projekton objektivat e zhvillimit në plane vjetore shpenzimi bazuar në të ardhurat që pritet të mblidhen nga bizneset dhe individët. Me opozitën që protestonte jashtë sallës së Kuvendit, socialistët i dhanë “dritën jeshile” në parim ligjin më të rëndësishëm të financave publike.