Qeveria ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa”. Drafti ka për qëllim krijimin e një sistemi sistemi të balancuar, qëndrueshëm dhe funksional për administrimin dhe mirëmbajtjen e objekteve në bashkëpronësi në ndërtesa, që siguron në të njëjtën kohë respektimin e të drejtës të pronës të bashkëpronarëve dhe përmbushjen e interesit publik për administrim dhe mirëmbajtje të tyre, për të garantuar harmoni dhe paqe sociale në komunitet, zhvillim ekonomik dhe social të qëndrueshëm dhe siguri në qëndrueshmërinë e ndërtesave.
Zbatimi i këtij ligji ndërthur elementë të të drejtës së pronës private dhe lirisë në administrimin e saj në bashkëpronësi me garantimin e interesit publik për sigurimin e harmonisë dhe paqes sociale, zhvillimin ekonomik dhe social të qëndrueshëm, si dhe sigurinë e ndërtesave në vetëvete.
Gjatë viteve të fundit, zhvillimet urbane, planifikimi dhe zhvillimi i territorit si dhe lëvizjet/ndryshimet demografike në vend kanë sjellë sfida të reja që diktojnë rishikim tërësor të këtij ligji. Sektori i ndërtimit, i cili është lidhur ngushtë me turizmin dhe energjinë, ka shënuar një rritje të konsiderueshme në vitet e fundit. Në zonat bregdetare, përveç banesave kolektive dhe shtëpive në pronësi private, ndërtimet e reja janë konceptuar dhe kryer në formën e komplekseve rezidenciale apo fshatrave turistike ku bashkëjeton një komunitet i madh rezidentësh, me larmi hapësirash të përbashkëta (parqe, shatervan, kënde lojrash etj).
Edhe në qytetet e mëdha, ka filluar një trend që shkon drejtë konceptimit dhe ndërtimit të zonave rezidenciale dhe jo më vetëm një godine banimi në kuptimin më tradicional dhe historik (pallat).
Tirana është qyteti ku reflektohet më mirë ky realitet që gërsheton ndërtimet e periudhës para rënies së sistemit të komunizmit (pallatet e vjetra), ndërtimet pas vitit 1991 si dhe ato të dhjetë vjeçarit të fundit me komplekse rezidenciale/fshtra banimi (sidomos në zonat jashtë qendrës së Tiranës).
Kjo situatë në terren me këtë larmishmëri ndërtimesh dhe ndërthurjesh duhet të gjejnë rregullim edhe në legjislacion.