Zyrtarisht janë 5500 vende të lira pune në treg. Kaq është numri i punonjësve që kërkojnë bizneset dhe që i janë drejtuar zyrtarisht Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive.
Nuk kanë vetëm kërkesë për zanate, si elektricist, shofer e rrobaqepës, por edhe për arkëtar, inxhinier mjedisi apo specialist marketingu. Kjo do të thotë se kërkohen punonjës edhe me paga të larta dhe të shpërndara në profile të ndryshme.
Vendet e lira të punës janë shpallur tashmë edhe nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, të ndara edhe sipas qyteteve. Kryeson Tirana, për shkak të përqendrimit më të lartë të bizneseve. Më pas vjen Durrësi, Fieri dhe Vlora, që kanë numër të konsiderueshëm vendesh të lira.
Për të lehtësuar sa më shumë procesin e punësimit, tashmë aplikimet dhe e gjithë procedura mund të ndiqet “online” nga punëkërkuesi.
Kjo do të thotë se punëkërkuesi mund të hapë llogarinë e vet në portalin “puna.gov.al”, të ngarkojë CV-në e tij dhe të aplikojë për vendin e punës pa ndërveprim fare të palëve të treta.
Të dhënat tregojnë se gjatë këtij viti, Agjencia Kombëtare ka punësuar me ndërmjetësim rreth 25 mijë punëkërkues, nga 70 mijë të tillë. Kjo shifër, në kushtet kur bizneset vuajnë për fuqi punëtore, tregon se kërkesa dhe oferta për vende pune nuk përputhen në tregun tone, për shkak të pagës dhe kushteve që ofrohen.