Bujqësia është sektori që jep kontributin më të madh në ekonominë e vendit dhe ka numrin më të madh të të punësuarve. Por pavarësisht kësaj, mbetet sektori më pak i financuar.
Në projektbuxhetin 2025, që ka nisur diskutimet në komisionet parlamentare, për bujqësinë do të jepen vetëm 14.6 miliardë lekë, me rritje 673 milionë lekë ose 4.8% kundrejt vitit 2024.
Një rritje thuajse e papërfillshme, përballë dy fakteve: krizës së fortë që ka përfshirë sektorin dhe mungesës së fondeve të programit IPARD, që jepen nga Bashkimi Europian dhe që janë pezulluar që prej vitit 2023 për shkak të dyshimeve për abuzime.
Vitin e ardhshëm, si mbështetje për fermerët dhe blegtorët do të jepet një shumë prej 7.2 miliardë lekë ose rreth 72 milionë euro. Me një rritje të lehtë kundrejt vitit 2024, e cila amortizohet nga tkurrja e financimeve të jashtme, çka bën që mbështetja reale të jetë thuajse e njëjtë në këto dy vite.
Pesha e bujqësisë në ekonomi ka ardhur duke u tkurrur në vite. Megjithatë ky sektor jep ende kontributin më të lartë, duke arritur në 16.2% të Produktit të Brendshëm Bruto, teksa punëson 33% të totalit të fuqisë punëtore në vend. Ndërsa përfiton vetëm 1% të totalit të kredisë bankare, duke qenë e nën financuar, pasi konsiderohet një biznes i ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta, siç janë përmbytjet apo breshëri që ju dëmton prodhimin.
Bujqësia ka hyrë tashmë në cikël rënës, e ndikuar nga njëra anë, nga pakësimi i popullsisë në fshat nga emigracioni i brendshëm dhe i jashtëm dhe mungesa e subvencioneve shtetërore, në anën tjetrën, që e kanë përkeqësuar klimën në sektor, sidomos në blegtori.
Vitin e kaluar, prodhimi në sektorin bujqësor shënoi rënie me 0.69%. Kjo ndodhi në një kohë kur ekonomia u rrit me 3.5%, çka dëshmon se sektori është lënë tashmë në rënie të lirë.