Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, ka përjetuar një rritje të ndjeshme të popullsisë dhe ndërtimit të banesave gjatë dekadave të fundit. Sipas të dhënave të rezultateve të Censit për çdo qark, “Scan Intel” është ndalur këtë herë tek mosha e banesave në qarkun e Tiranës. Referuar shifrave, numri total i banesave të zakonshme të banuara në Tiranë arrin në 236,364.
Këto banesa janë ndërtuar në periudha të ndryshme historike, duke reflektuar zhvillimin urbanistik dhe demografik të qytetit. Peshën më të madhe të banesave të zakonshme të banuara në kryeqytet, prej 33%, e përbëjnë banesat e ndërtuara gjatë viteve 1981-2000. Pra, e thënë ndryshe, rreth 78,758 banesa janë të moshës 24-43 vjeç.
Rreth 32% të totalit të banesave në Tiranë janë ndërtuar rreth viteve 2001-2010, ose e shprehur në shifër absolute numri arrin në rreth 76 mijë. Një peshë të konsiderueshme kanë banesat e ndërtuara nga viti 1961 deri në vitin 1980, me 11% të totalit ose rreth 26 mijë banesa.
Sipas të dhënave të bëra publike nga “Instituti i Statistikave”, gati 15% e banesave të banuara ne kryeqytet janë ndërtuar nga viti 2011-të dhe më vonë. Ndërkohë, ndërtesat e ndërtuara para vitit 1960 përbëjnë rreth 6% të totalit.
Këto të dhëna tregojnë një rritje të ndjeshme të ndërtimit të banesave pas viteve 1980, me një kulm të veçantë gjatë periudhës 1981-2000. Kjo periudhë përkon me ndryshimet e mëdha politike dhe ekonomike në Shqipëri, që sollën një bum ndërtimesh dhe urbanizimi në Tiranë.
Ky zhvillim i vazhdueshëm urban ka sjellë sfida dhe mundësi të reja për qytetin, duke përfshirë nevojën për infrastrukturë të përmirësuar, shërbime publike dhe planifikim të qëndrueshëm urban.