Kompania Stellantis hodhi në treg makinën e saj elektrike Fiat Grande Panda në qytetin serb Kragujevac, ku ka investuar pothuajse 200 milionë euro (përfshirë një subvencion prej 48 milionë eurosh nga qeveria serbe), në një fabrikë që pritet të nisë prodhimin e plotë në tetor, duke punësuar 1000 njerëz.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se prodhimi i vitit të ardhshëm në uzinën në Kragujevac, do të kontribuojë me 0.5 pikë përqindje në rritjen e PBB-së së vendit.
“Ne do të sfidohemi nga ofensiva kineze në tregun europian”, tha shefi i kompanisë Stellantis, Carlos Tavares, duke folur me Vuçiçin në uzinën në Kragujevac. “Kompania Stellantis është gati për luftë”.
“Kjo është një mundësi e madhe për ne. Jemi i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor që kemi prodhim të makinave elektrike”, tha Vuçiç.
“Nxitja e tranzicionit të gjelbër”
Vuçiç bisedoi me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe zëvendëspresidentin ekzekutiv të Komisionit Europian për Marrëveshjen e Gjelbër Europiane, Maroš Šefčovich, të cilët nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për nisjen e një partneriteti strategjik për lëndët e para të qëndrueshme, zinxhirët e baterive dhe automjetet elektrike.
Partneriteti synon të mbështesë zhvillimin e industrive të reja vendase dhe vendeve të punës, duke respektuar plotësisht standardet e larta mjedisore dhe sociale, duke marrë parasysh edhe shqetësimet e komuniteteve lokale.
Ky partneritet gjithashtu siguron kornizën për një zotim publiko-privat në shumë nivele, ndërmjet institucioneve dhe organeve të BE-së, aktorëve industrialë, shoqatave të biznesit, partnerëve socialë, përfaqësuesve të shoqërisë civile, ministrive përkatëse të shteteve anëtare të BE-së dhe Serbisë, organizatave publike, institucioneve financiare dhe investitorëve.
Së fundmi, Serbia rivendosi licencën e gjigantit të minierave Rio Tinto për të nxjerrë litium në Luginën Jadar. Qeveria e Serbisë e tërhoqi ndalimin pasi një vendim gjykate e shpalli atë si jokushtetues. Qeveria e kishte vendosur këtë ndalim në vitin 2022, pas protestave të gjera në të gjithë vendin.
Tashmë, me vendimin e gjykatës, Rio Tinto mund të vazhdojë punimet në Luginën Jadar, ku kompania thotë se mund të sigurojë deri në një të dhjetën e nevojave të Europës për litium.
“Memorandumi i mirëkuptimit midis BE-së dhe Serbisë për lëndët e para të qëndrueshme, zinxhirët e baterive dhe automjetet elektrike, është një dëshmi e zotimit tonë të përbashkët për të çuar përpara tranzicionin e gjelbër”, tha Šefčovich.
“Përmes bashkëpunimit strategjik në këta sektorë kyç, ne shfrytëzojmë potencialin e jashtëzakonshëm për zhvillim të qëndrueshëm dhe risi, duke rritur gjithashtu integrimin e Serbisë në tregun e përbashkët të BE-së dhe duke rritur më tej konvergjencën e saj ekonomike, sociale dhe mjedisore me BE-në”.
Kancelari Scholz ndërkohë tha se miniera do të ndihmonte për të mbrojtur sigurinë ekonomike të Europës dhe se ai dëshironte që industria e automobilave të vendit të tij të ishte “në krye të radhës për furnizime”.
Litiumi përdoret për prodhimin e baterive për automjetet elektrike, si dhe për telefonat celularë, dhe kërkesa për të parashikohet të rritet mbi 40 herë deri në vitin 2040, e nxitur kryesisht nga rritja e përdorimit të automjeteve elektrike.
Australia është furnizuesi më i madh në botë i litiumit (rreth 86,000 ton në vit), e ndjekur nga Kili (44,000 ton) dhe Kina (33,000 ton). Kompania Rio Tinto pretendon se miniera në Luginën Jadar mund të furnizojë deri në 58,000 tonë në vit.
Kundërshtimet mjedisore
Kompania Rio Tinto thotë se miniera, e cila pritet të jetë aktive deri në vitin 2028, mund të zhvillohet në mënyrë të sigurt, “duke iu përmbajtur standardeve më të larta vendase dhe ndërkombëtare të mbrojtjes së mjedisit”.
Së fundmi, ajo publikoi raportet paraprake të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis të Projektit në Jadar (VNM), për të lejuar publikun që të vlerësojë ndikimet e mundshme mjedisore dhe masat zbutëse.
OJQ-të mjedisore, të cilat prej vitesh kanë protestuar kundër minierës, vijojnë kundërshtimet.
BankTrack, një organizatë ndërkombëtare mbështetëse e OJQ-ve e përqendruar në bankat dhe veprimtaritë që ato financojnë, tha vitin e kaluar se kompania Rio Tinto e ka nënvlerësuar vazhdimisht kundërshtimin vendas dhe kombëtar ndaj projektit Jadar, pavarësisht protestave të mëdha publike dhe kundërshtimit të vazhdueshëm nga qindra pronarë që nuk pranojnë të shesin pronat e tyre.
Ajo thotë se miniera paraqet rreziqe ndotjeje për burimin më të madh të ujit të pijshëm të Serbisë. Ndërkohë. OJQ-të lokale kanë rifilluar tashmë protestat kundër projektit. Në qytetin Valjevo, me mijëra njerëz marshuan në shenjë proteste kundër minierës.
Qeveria e Serbisë dhe kompania Rio Tinto, mund të kenë fituar mbështetjen e Bashkimit Europian, por është e qartë se do të duhet shumë më tepër për të fituar mbështetjen e atyre që janë më të prekur nga miniera./Monitor