Biznesi nuk e sheh si të suksesshëm eksperimentin e qeverisë shqiptare për të plotësuar mungesat në tregun vendas të punës me punëtorë nga Indinezia dhe Filipinet. Sipas kryetarit të shoqatës Pro Eksport Albania, që përfaqëson interesat e industrisë fason, Edvin Prençe, një formulë e tillë që po ndiqet edhe nga një pjesë e vendeve të BE-së nuk e zgjidh problemin e fuqisë punëtore dhe situatës së përgjithshme për ndërmarrjet fason. Kjo pasi të sjellësh punëtorë nga jashtë ka kosto të larta dhe këto janë të papërballueshme aktualisht për këtë industri.
“Tashmë ka shumë aktivitete që janë drejt mbylljes së aktivitetit dhe të mendosh që në këtë moment shumë biznese po flasin për mbijetesë dhe jo për të menduar për punëtorë nga vende të treta”, u shpreh Prençe.
Ai deklaron se Shqipëria e ka humbur avantazhin konkurrues për industrinë fason dhe nuk është më një vend i preferuar për tregun europian.
“Këta punëtorë nuk mund të rimëkëmbin më këto biznese kur kursi i këmbimit është drejt një kolapsi të thellë. Kemi një rënie shumë drastike të kërkesave nga Europa dhe Shqipëria e ka humbur konkurueshmërinë dhe nuk shihet më si një vend i preferuar nga brandet e huaja”, shprehet Prençe.
Të dhënat tregojnë se vitin e shkuar u pajisën me leje pune 9 mijë e 825 shtetas të huaj, me një rritje prej 18.3 për qind në raport 2022. Që nga viti 2017 janë më shumë se 37 mijë të huaj që kanë marrë leje për të punuar në Shqipëri. Kjo me qëllim mbushjen e boshllëkut të krijuar nga emigracioni. Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, pjesa më e madhe e punonjësve të huaj që kanë ardhur në Shqipëri deri më tani janë nga Turqia, Egjipti, Filipinet, India, Kina apo Ukraina.